Maqedoni
Kontesti maqedono - bullgar, Osmani: Zgjidhja mund të arrihet në janar
19.12.2021 15:08
Ministri i jashtëm i vendit Bujar Osmani ka theksuar se zgjidhja e kontestit maqedono bullgar...

Ministri i jashtëm i vendit Bujar Osmani ka theksuar se zgjidhja e kontestit maqedono bullgar mund të arrihet në muajin janar, pasi Bullgaria ka qeveri stabile. Komentet osmani I bëri në intervistën për televizionin bullgar Nova, duke shtuar se qasja e re e kryministrit bullgar Kirill Petkov për formimin e grupeve të punës dërgon sinjal pozitiv, por afati prej gjashtë muajsh sipas Osmanit është I gjatë.
“Kuptoj vetëm një argument përse deri më tani nuk u gjet një zgjidhje, është fakti se nuk kishte qeveri politike. Megjithatë tani nuk ka arsye përse të jepen afate të gjata kur ka qeveri politike, shumicë stabile në Bullgari dhe në Maqedoninë e Veriut, dhe mund të ulemi që nesër të vazhdojmë me bisedimet dhe në janar të kemi zgjidhje.”, tha Bujar Osmani, ministër për punë të jashtme.
VMRO kritikon qasjen e Osmanit
Ndaj këtyre qëndrimeve të Osmanit kanë reaguar nga VMRO – DPMNE, duke thënë se Osmani dhe Zaev çdo muaj shpikin arsye të re përse nuk kemi marrë datë dhe kjo praktikë është stërzgjatur katër vite. Nga VMRO akuzojën se nuk po zbatohen reformat e nevojshme dhe se shteti po funodset në krim dhe korrupsion.
“LSDM dhe BDI katër vite po gënjejnë qytetarët, ndërkaq në realitet nuk ka reforma, nuk ka projekte, por vetëm ndarje të tenderëve, krim dhe korrupsion. Sipasojë e politikave përulëse, Bullgaria gjithmonë del me kërkesa të reja, ndërkaq Zaev po shkon drejt prekjes së fundit.”, thuhet në kumtesën e VMRO – DPMNE – së.
Ndërkohë ambasadorja e Francës në Sofje, Fllorans Robin ka dërguar porosi se Ballkani ka rol të rëndësishëm në fatin e Europës, andaj edhe presidenti Makron është I bindur se Europa duhet të angazhohet më shumë në Ballkan si në planin politik ashtu edhe ekonomik. Në një intervistë televezive Robin ka porositur se nuk bëhet fjalë për dhënien e dritës jeshile nga Bullgaria për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në BE, por për nisje të bisedimeve të cilat do të zgjasin më shum vjet.
MERALE ISMAILI
