Maqedoni
Situata politike pas samitit, Mehmeti: Pasiguri politike me shumë opsione
19.12.2021 16:19
Pezullimi i rradhës për të filluar negociatat qasëse me Bashkimin Evropian rriti pasigurinë politike në vend....

Pezullimi i rradhës për të filluar negociatat qasëse me Bashkimin Evropian rriti pasigurinë politike në vend. Forca e përafërta politike mes subjektve më të mëdha dhe praktika e migrimit të partive më të vogla nga koalicionet qeverisëse në opozitë dhe anasjelltas krijojnë pasiguri politike dhe kanë ndezur alarmin te të gjitha partitë, thotë analisti politik Ibrahim Mehmeti. Për shkak të kësaj situate, nuk përjashton mundësinë as për koalicione të rinj dhe as për zgjedhje të parakohëshme.
“Vetë fakti që nuk kemi një datë ose një perspektivë të qartë se kur mund të kemi një datë i hap të gjitha mundësitë edhe për zgjedhje të parakohëshme por edhe koalicionime që mund të sjellin një rezultat të paparashikueshëm. Kështu që unë mendoj se duhet të presim një periudhë, të shohim se si do të zhvillohen këto procese aq më tepër që ne ende nuk kemi ndryshime në qeveri, i cili është i paralajmëruar si një koalicion i ri edhepse në Parlament është i qartë se ky koalicion ka marë formë.”, tha Ibrahim Mehmeti, analist politik.
Mehmeti: Partitë janë në alarm
Sipas Mehmetit, edhe takimet mes liderëve politik, pavarësisht nëse janë në pushtet ose opozitë, kanë për qëllim të evitojnë befasitë e mundshme politike.
“S’ka dyshim se të gjitha partitë janë në alarm se çka mund të ndodh pas një dite apo pas një jave, lidhur me koalicionimet dhe këto takime të liderëve partiak unë i shoh nga kjo dritë. Të gjithë dëshirojnë të jenë sa më të sigurtë se nuk do të jenë të befasuar nga një koalicion i ri i cili do të ndodhte pas shpinës së tyre dhe mendoj se kjo i bën të gjithë nervoz dhe pak më proaktiv, dhë ndoshta më të hapur për bashkëpunim me partnerë, të cilët ndoshta nuk i kanë për qejfi.”, tha Mehmeti.
Të enjten, kryetari I BDI-së Ali Ahmeti takoi edhe kreun e VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickovski edhe kreun e LSDM-së Dimitar Kovaçevski sëbashku me kryeministrin në dorëheqje Zoran Zaev.
Pas takimit me Ahmetin, Mickoski deklaroi se ka kërkuar zgjedhje të parakohëshme parlamentare, ndërkaq në kumtesën e Qeverisë për takimin Zaev, Ahmeti, Kovaçevski thuhet se zgjedhjet e ardhshme parlamentare pritet të jenë të rregullta dhe të mbahen në vitin 2024.
SHPËTIM NUREDINI
