Sijarto: BE u tregua e pandershme ndaj RMV-së
Ministri i jashtëm hungarez, Peter Sijarto.....

Ministri i jashtëm hungarez, Peter Sijarto po qëndron për vizitë zyrtare në vend.
Ai gjatë konferencës së përbashkët për media me ministrin e jashtëm Bujar Osmani deklaroi se mungesa e fillimit të negociatave me Maqedoninë e Veriut është një hap i pandershëm i BE-së, sepse vendi ka bërë gjithçka që është e nevojshme për hapjen e procesit të negociatave.
Ne ishim të pakënaqur dhe të frustruar me konkluzionet në Bruksel për zgjerimin dhe i konsiderojmë të gjitha ato vendime si shumë të padrejta. Nëse do të donim të ishim të sinqertë, do të duhej të thonim se këtë vit Maqedonia dhe Shqipëria duhet të fillojnë negociatat.
"Me respekt kërkojmë nga miqtë tanë nga Bullgaria që çështjet e tyre kombëtare t'i konsiderojnë si pengesë për realizimin e tyre gjatë negociatave dhe jo duke penguar fillimin e negociatave," - tha Sijarto.
Osmani: BE mbetet e përkushtuar ndaj Ballkanit
Ndërsa ministri Osmani, përshëndeti suksesin e presidencës sllovene në arritjen e një konsensusi për raportet e Komisionit për Ballkanin Perëndimor dhe konkluzionet e KE-së për rajonin, gjë që, tregon se pavarësisht sfidave me të cilat përballemi, BE-ja mbetet e përkushtuar ndaj Ballkanit Perëndimor.
Megjithatë, ky sukses i pjesshëm në vendin tonë ka hyrë në një hije të thellë të dështimit të Unionit për të siguruar konsensus për funksionalizimin e vendimit të vet nga marsi i vitit të kaluar, për fillimin e negociatave për Maqedoninë dhe Shqipërinë.
“Jemi të vetëdijshëm se vendimet e Këshillit të BE-së merren me konsensus, por gjithnjë e më pak qytetarët e vendeve tona e kuptojnë se si dhe me çfarë argumentesh shfrytëzohet ai privilegj nga shtetet anëtare”, - shtoi Osmani.Ministri Osmani theksoi se nuk ka dyshim se besimi në procesin e zgjerimit është në nivelin më të ulët historik, gjë që rrezikon besueshmërinë e të gjithë Unionit dhe krijon kriza të reja në tërë rajonin.
