Shkolla fillorë në Strugë, nga gjysëmvjetori i dytë me paralele të përziera

20.12.2021 13:44

Shkolla fillore “Vëllezërit Milladinovci” në Strugë....

Shkolla fillore “Vëllezërit Milladinovci” në Strugë do të rikthejë ndërrimet e përziera të përkatësive etnike, pas 20 vitesh. Deri më tani, në shkollën që mësohet në tri gjuhë, shqip, maqedonisht dhe turqisht, nxënësit kanë qenë në ndërrime të ndryshme sipas përkatësisë etnike, ndërsa nga gjysëm vjetori i këtij viti shkollor, mësimi do të mbahet me një ndërrim.

Nga komuna thonë se integrimi ndëretnik i nxënësve në shkolla fillore është çelës i bashkëjetesës së suksesshme në Strugën multietnike.

 “U vendos që në shkollën Vëllezërit Milladinovci nga gjysëmvjetori i dytë të fillohet me mësimdhënie të përzier etnike, d.m.th mos të shkojnë maqedonasit, turqit, shqiptarët në ndërrime të ndryshme, por kjo mësimdhënie të përzihet në një farë mënyre dhe kjo iu jep mundësi që nxënësit të shoqërohen me të tjerët dhe të kenë më pak stereotipe dhe paragjykime” – tha zëdhënësja në Komunën e Strugës, Besa Ziba.  

Kryetari i komunës së Strugës, Ramiz Merko tha për TVM2 se edhe nëpër shkolla të tjera do të krijohet organizim i ri i mësimdhënies, kjo për shkak të krizës energjetike, me qëllim që kushtet të jenë sa më të mira nëpër shkolla.

“Për të kursyer pikërisht energjinë elektrike apo të mos vijmë në një situatë të kemi sidomos në procesin edukativ arsimor, po krijojmë organizim të ri nëpër shkolla që paradite te shkojnë klasat nga e 6 deri te e 9 sepse ato kan më shumë orë mësimi dhe pasdite të shkojnë nga e para deri te e pesta sepse ata kanë më pak orë mësimi, kështu që nuk do të vijë koha e mbrëmjes për të harxhuar energjie dhe nxemje” – u shpreh Kryetari i Komunës së Strugës, Ramiz Merko.

Në shkollat e tjera fillore dhe të mesme në Strugë edhe pse në klasa të ndara, mësimi ka disa vite që organizohet në ndërrime të përziera ndëretnike.  (Ilmije Zhaku, TVM2)