Osmani pret shefin e Diplomacisë hungareze, Sijarto: Pezullimi i negociatave, i padrejtë
Hungaria kërkon që Bashkimi Evropian....

Hungaria kërkon që Bashkimi Evropian të fillojë menjëherë negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Vonesa e fillimit të negociatave me Maqedoninë e Veriut është hap i pandershëm nga ana e BE-së, deklaroi ministri hungarez i Punëve të Jashtme dhe Tregti, Peter Sijarto, pas takimit me ministrin e Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.
Sipas tij vendi ka bërë gjithçka që është e nevojshme për hapjen e procesit të negociatave.
“Ne ishim të pakënaqur dhe të frustruar me konkluzionet në Bruksel për zgjerimin dhe i konsiderojmë të gjitha ato vendime si shumë të padrejta. Nëse do të donim të ishim të sinqertë, do të duhej të thonim se këtë vit Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria duhej të fillojnë negociatat. Me respekt kërkojmë nga miqtë tanë nga Bullgaria që çështjet e tyre kombëtare, që i konsiderojnë si pengesë, t’i realizojnë gjatë negociatave dhe jo duke penguar fillimin e negociatave.” – tha Ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Sijarto.
Osmani: Presim ndjeshmërievropiane nga Sofja
Besimi në procesin e zgjerimit është në nivelin më të ulët, gjë që e rrezikon besueshmërinë e gjithë Unionit dhe krijon kriza të reja në gjithë rajonin, thotë shefi i diplomacisë Bujar Osamani.
Megjithatë, përshëndeti suksesin e Presidencës sllovene në sigurimin e konsensusit për Raportet e Komisionit për vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe për konkluzionet e Bashkimit Evropian për rajonin, dokument ky që dëshmon se BE mbetet i pranishëm dhe i përkushtuar ndaj Ballkanit Perëndimor.
“Gjithsesi ky sukses i pjesshëm, të paktën këtu tek ne, hyri nën hijen e thellë të mos-suksesit të Unionit që të sigurojë konsensus në operacionalizimin e vendimit të tij nga marsi i vitit të kaluar për të filluar negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Jemi të vetëdijshëm se vendimet e Këshillit të BE-së merren me konsensus, por gjithnjë e më pak qytetarët e vendeve tona kanë mirëkuptim për atë se në çfarë mënyre dhe me çfarë argumentesh përdoret ky privilegj nga disa shtete anëtare” – u shpreh Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani.
Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, që paraqet interes strategjik. Në këtë drejtim, vendi vazhdon përpjekjet për të gjetë zgjidhje me Bullgarinë.
Osmani shpreson që me garniturën e re politike në Sofje, do të fillojë një proces i ri vizionar i besimit mes dy vendeve. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
