Botë
Vendet evropiane masa kufizuese për festa, OBSh: Të anulohen organizimet festive për festa
21.12.2021 14:42
Frika nga përhapja e llojit të ri të virusit Omicron ka bërë që shumë vende europiane...

Frika nga përhapja e llojit të ri të virusit Omicron ka bërë që shumë vende europiane të shtrëngojnë masat kufizuese për festat e fundvitit, pasi kërkojnë të ndalojnë një valë të katërt infektimesh. Holanda është rimbyllur sërish deri pas periudhës së festave.
Dyqanet, restorantet, baret, kinematë, muzetë, do të qëndrojnë të mbyllura deri me 14 janar. Në Francë, organizimet e Vitit të Ri do të anulohen, Ceremonia e hedhjes së fishekzjarrëve në natën e ndërrimit të viteve në Paris dhe koncertet e planifikuara në Champ Elize janë anuluar. Gjithashtu nuk përjashton mundësinë e vaksinimit të detyrueshëm.
Gjermania ka rivendosur karantinën dy-javore për udhëtarët që vijnë nga Britania, duke marrë parasysh se ka pasur rritje shqetësuese të rasteve me Covid-19 dhe Omicron. Ndërsa në Austri mund të hyjnë vetëm personat që kanë marrë dhe dozën e tretë të vaksinës.
Të tjerët, përfshirë dhe ata që kanë marrë dy doza, do duhet të tregojnë tamponin negativ ndërsa të pavaksinuarit do të qëndrojnë në karantinë për afro dy javë. Edhe Danimarka ka mbyllur kinematë, teatrot, muzetë, dhe galeritë e artit si dhe ka ndaluar koncertet, në të gjithë vendin për të frenuar përhapjen e koronavirusit.
Edhe pse një numër shtetesh tashmë kanë ashpërsuar masat për pandeminë, nga OBSH kërkojnë anulimin e organizimeve dhe eventeve të festave te fundvitit, për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve pikërisht nga lloji Omicron, sepse të dhënat flasin se varianti Omicron është duke u përhapur shumë më shpejtë sesa Delta.
“Në qoftë se nuk mundohemi t’i vaksinojmë të pavaksinuarit, ndoshta s’do të mund ta fitojmë rezultatin e dëshiruar, spitalet janë të mbushur me pacientë të pavaksinuar. Shumë studime tregojnë se 80% nga të hospitalizuarit janë pikërisht të pavaksinuar. Bindni njerëzit të vaksinohen dhe besoni se vaksinat janë të sigurta, sepse edhe vetëm dy dozat e vaksinës e zvogëlojnë rrezikun nga vdekja.”,- deklaroi shefi i OBSh-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Varianti Omicron është bërë dominues në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke përbërë gati tre të katërtën e të gjitha rasteve të reja pozitive. Edhe pse 73 për qind e amerikanëve të rritur janë plotësisht të vaksinuar kundër COVID-19, administrata mbetet e shqetësuar për ata që nuk janë vaksinuar.
BELINDA KOKA ADEMI
