Maqedoni

MPB: 10 të arrestuar në një aksion në Kumanovë e Shkup

21.12.2021 15:39

Në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë dhe Shkup u zhvillua një aksion i madh policor kundër një grupi...

Në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë dhe Shkup u zhvillua një aksion i madh policor kundër një grupi i cili dyshohet së është marrë me kontrabandë të drogës. Ministria e Punëve të Brendshme njofton se pas aksionit janë arrestuar 10 persona, në mesin e të cilëve tre policë dhe 5 doganierë, ndërsa është konfiskuar edhe lëndë narkotike. 
 
“Janë privuar nga liria dhjetë persona, përkatësisht B. A. (35), M. A. (40), I. A. (45), I. F. (47), A. A. (43), të gjithë nga Kumanova,  A. Zh. (53), T. T. (54), D. K. Sh. (43), Xh. Sh. (36) nga Shkupi dhe L. L. (36) nga Tetova, mes të cilëve tre policë dhe pesë doganierë. Nëntë persona dyshohen se kanë kryer veprën penale “trafikim” nga Neni 278, kurse tre ngarkohen edhe për veprën penale “prodhim i paautorizuar” dhe “lëshim në qarkullim të lëndëve narkotike”, sipas Nenit 215 të Kodit Penal, derisa gjatë bastisjes tek A. A. është gjetur dhe konfiskuar kokainë.”,- njoftojnë nga MPB.
 
Gjatë muajit nëntor katër prej të akuzuarve, mes tyre edhe dy policë, dy herë kanë marrë pjesë në një transferim të paautorizuar për shitje të prekursorëve, nga Njësia Doganore në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit deri afër kufirit shtetëror ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kosovës.
 
Ndërsa doganierët e dyshuar kanë vepruar në kundërshtim me kompetencat e tyre zyrtare dhe nuk kanë kryer kontrollin e duhur të mallit në përputhje me atë të deklaruar.
 
Të arrestuarit do të paraqiten para gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale-Shkup dhe në koordinim me Prokurorinë Publike për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tyre do të ngritën padi adekuate.
 
GAZMEND KURTISHI