Maqedoni
Kaosi në komunikacion, Kasami: Zgjidhja, deri në fund të vitit
21.12.2021 16:18
Me kërkesë të komunës së Tetovës, policia po largon veturat e parkuara nga Bulevardi “Ilindenska”...

Kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, tha se për momentin janë duke përpiluar një plan për zgjedhjen e kaosit në komunikacioni. Sipas Kasamit, deri fund të vitit komuna do dalë me zgjidhje.
“Ne jemi në përfundim për të bërë një plan gjeneral, për zgjedhjen e komunikacionit dhe parkingut, këtu është edhe përgjegjësi i sektorit që e kam ngarkuar bashkë me drejtorin e parkingjeve, të gjejmë një zgjidhje të përgjithshme, edhe për çështjen e komunikacionit edhe të parkingjeve, besoj se deri në fund të vitit do të dalim me një qëndrim të zgjedhjes së plotë të parkingut dhe çështjes së komunikacionit.”,- tha kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
I pyetur se a do të gjendet zgjidhje për parkingje sidomos në këtë periudhë të vitit janë të pranishëm edhe mërgimtarët Kasami tha se zgjedhja e kaosit në komunikacion dhe e parkingjeve duhet të jete afat gjate.
“Ne do të duhet të gjejmë një zgjidhje afatgjate, sigurisht që për çdo lehtësim që ka për mërgimtarët, ne do të jemi në dispozicion. Për ketë çështje duhet të flasim me drejtorin e parkingjeve, të shohim çfarë zgjidhje dhe çfarë lehtësim t’ju japim mërgimtarëve, nuk kam biseduar me drejtorin për këtë çështje.”,- tha kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Këto komente Kasami i bëri gjatë inspektimit të punimeve në Rrugën “Vëllezërit Miladinov”, ku punohet për sanimin e gropave dhe një herë bëri apel deri tek qytetarët që të paraqesin problemet infrastrukturore në faqen e komunës.
VISAR SADIKI
