Maqedoni
“Ballkani i hapur”, u nënshkruan pesë marrëveshje
21.12.2021 16:34
Mbyllet takimi i shtatë i nismës “Open Ballkan” me nënshkrimin e pesë marrëveshjeve...

Mbyllet takimi i shtatë i nismës “Open Ballkan” me nënshkrimin e pesë marrëveshjeve në fushën e bashkëpunimit ekonomik mes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.
Kryeministri shqiptar Rama, Zaev dhe Vuçiq nënshkruan Marrëveshjen për kushtet për qasje të lirë në tregun e punës në Ballkanin Perëndimor, Marrëveshjen për lidhjen e sistemit për identifikim elektronik të qytetarëve, si dhe Marrëveshjen për bashkëpunim në fushën e veterinarisë, sigurisë ushqimore dhe atë të fitosanitarisë.
Rama: Nisma, njësi zbatimi e procesit të Berlinit
Kryeministri shqiptar, Edi Rama, tha se “Open Ballkan” është një njësi zbatimi e Procesit të Berlinit.
“Marrëveshjet e firmosura sot janë prova e prekshme e një fakti shumë të thjeshtë, që “Ballkani i Hapur” është një nismë e cila shtyn përpara çka është diskutuar, stërndiktuar në Procesin e Berlinit; çka është dakordësuar në zinxhirin e samitit të atij procesi dhe asnjëherë nuk është realizuar. Dhe, “Ballkani i Hapur” faktikisht është një njësi zbatimi e Procesit të Berlinit.”,- tha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Zaev: Nisma e hapur për të gjithë vendet e rajonit
Tre liderët rajonal konsiderojnë se projekti është me interes për të gjitha vendet e rajonit, prandaj ftuan sërish Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnjë-Hercegovinën që t’i bashkohen kësaj nisme.
“Që në fillim të kësaj nisme, unë dhe kolegët e mi, miq dhe vëllezër, Aleksandar Vuçiq dhe Edi Rama, theksuam se “Ballkani i Hapur” është autentik, projekt i përbashkët i iniciuar nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Serbia, por i krijuar për mirëqenien e gjithë rajonit dhe i hapur për të gjithë vendet e rajonit. Të gjitha vendet e rajonit kanë ftesë publike, të drejtpërdrejtë dhe pa mëdyshje që të na bashkëngjiten.”,- u shpreh kryeministri i RMV-së, Zoran Zaev.
Vuçiq: Të gatshëm të bisedojmë me Prishtinën
Inkuadrimi i Republikës së Kosovës në nismën “Ballkani i Hapur” nuk pengon Beogradin zyrtar. Vuçiq tha se nuk është kundër që çështjet teknike t’i zgjidhin bashkë, ndërsa ato politike në kuadër të bisedimeve në Bruksel.
“Unë nuk mendoj se është produktive që unë t’i ftoj, pasi po ftova unë dikë prej Prishtinë do të thonë se meqë na fton Vuçiq s’duhet të shkojmë. Por, nëse më pyesni nëse kemi diçka kundër që të paraqiten dhe teknikisht të zgjidhim disa çështje tona, ndërsa politikisht, rreth çështjes së statusit, për atë është kompetent Brukseli që përmes dialogut në Bruksel ta zgjidhim. Por, sa u takon çështjeve ekonomike, qarkullimit të shpejtë të mallit, njerëzve, kapitalit dhe shërbimeve jemi të gatshëm që të bisedojmë dhe të punojmë përmes “Ballkanit të Hapur”.”,- theksoi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Marrëveshjet e nënshkruara në takimin e shtatë të nismës “Ballkani i Hapur” pritet të hyjnë në fuqi nga një janari i vitit 2022.
SHPËTIM NUREDINI
