Maqedoni

Këshilli Nacional për Eurointegrime, debat mbi konkluzionet e fundit të BE-së

21.12.2021 17:34

Konkluzionet e këshillit rikonfirmojnë angazhimin për zgjerimin e BE-së, tha ambasadori, David Geer...

Konkluzionet e këshillit rikonfirmojnë angazhimin për zgjerimin e BE-së, tha ambasadori, David Geer, në Këshillin Nacional për Eurointegrime, ku u debatua rreth konkluzioneve të Këshillit për Çështje të Përgjithshme të Bashkimit Evropian për Maqedoninë e Veriut.           
                                     
“Në radhë të parë rikonfirmojnë angazhimin e BE-së për zgjerimin, duke e përshkruar atë si një politikë kyçe dhe investim strategjik për paqen, demokracinë, prosperitetin, sigurinë dhe stabilitetin në Evropë. Ne sigurisht duam të shohim lëvizje dhe kornizën  negociatave sa më shpejt të jetë e mundur.”,- tha ambasadori i BE-së, David Geer.       
                                                
Zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Nikolla Dimitrov, konsideron se çdo zgjidhje mundshme me Bullgarinë, e cila do të tërhiqte veton bullgare për fillimin e negociatave, duhet të dalë para deputetëve.                 
 
“Duke pasur parasysh rezolutën e miratuar në Kuvendin tonë ku përcaktohen vijat e kuqe për këtë çështje të interesit më të lartë kombëtar, mendoj se ka kuptim dhe do të rrisë legjitimitetin nëse hap pas hapi ndërtojmë një atmosferë politike në drejtimin që çdo zgjidhje, e cila duhet të jetë evropiane dhe dinjitoze, do të ketë një debat dhe njëfarë vlefshmërie në Parlamentin tone.”,- u shpreh zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Nikolla Dimitrov.                           
                    
Ndërkohë VMRO-DPMNE i sugjeron qeverisë të përveshë mëngët dhe të zbatojë rekomandimet e BE-së.       
                                                                      
“Paraprakisht ne duhet ta shikojmë veten në pasqyrë dhe t’i bëjmë një analizë. Pasi të shohim se çfarë na mungon dhe të punojmë në përmirësimin e atyre mangësive atëherë mund tu drejtohemi të tjerëve dhe t’u kërkojmë.”,- theksoi Zhaklina Peshevska nga VMRO-DPMNE.                   
                                                                                      
Nga BDI thonë se interes i vetë BE-së është që rajoni të integrohet sa më shpejtë.       
                                                                                                          
“Shpresoj që pas angazhimit konstruktiv që ka treguar qeveria jonë në këtë periudhë si dhe duke menduar për pasojat për kredibilitetin e BE si dhe stabilitetin e rajonit Bullgaria do ta heqë veton dhe ne do të mund të fillojmë këtë proces të gjatë të anëtarësimit në BE.”,- u shpreh Arbër Ademi nga BDI.                   
      
Krahas deklarimit se perspektiva evropiane për Ballkanin Perëndimor është prioritet nga LSDM thonë se është shumë e rëndësishme që BE të gjejë mekanizma që do ta ndihmojë procesin.
 
NAIM RAMADANI