Maqedoni

Zaev: Nesër deponon dorëheqjen në Kuvend

21.12.2021 18:08

Kryeministri, Zoran Zaev, të mërkurën pritet ta deponojë dorëheqjen në Kuvend...

Kryeministri, Zoran Zaev, të mërkurën pritet ta deponojë dorëheqjen në Kuvend. Kjo u bë e ditur nga Tirana nga ana e vet kryeministri Zaev, i cili derisa po merrte pjesë në mbledhjen e nismës “Ballkani i Hapur” tha se kjo është dita e fundit e tij në detyrën e kryeministrit. 
 
“Më lejoni në përfundim të kësaj paraqitje publike sipas të gjitha gjasave edhe e fundit nga ana e këtij funksioni, t’i falënderojë presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Rama për ndarjen e besimit të përbashkët në vizionin dhe nevojën për “Ballkanin e Hapur”.”,- deklaroi kryeministri i RMV-së, Zoran Zaev.
 
Zaev në Tiranë ishte i shoqëruar nga kryetari i ri i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, i cili, siç tha Zaev, do të jetë pasardhësi i tij në postin e kryeministër. 
 
“Sot të gjithë e panë se edhe pasardhësi im, Dimitar Kovaçevski, i cili është sot me ne, njëjtë do të jetë i përkushtuar në këtë proces.”,- tha kryeministri i RMV-së, Zoran Zaev.
 
Dorëheqja e kryeministrit nënkupton edhe dorëheqjen e gjithë Qeverisë. Sipas procedurës, Kuvendi konstaton dorëheqjen dhe e njofton presidentin. Më pas vijon afati 10 ditor për ndarjen e mandatit, mandatarit i cili dëshmon se ka siguruar shumicën parlamentare. Në rastin konkret pritet të jetë kryetari i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, ndërsa pjesë e qeverisë do të jetë partia “Alternativa”, e cila me 4 deputetët e saj mundëson që shumica parlamentare të ketë 64 deputetë. Pas marrjes së mandatit nga presidenti mandatari ka afat 20 ditorë për propozimin e programit dhe kabinetin qeveritar në Kuvend dhe më pas kryeparlamentari duhet të caktojë seancën për zgjedhjen e qeverisë së re.  
 
SEDAT SELIMI