Maqedoni

Ministria e Drejtësisë nuk do t’i kërkojë presidentit të fal të burgosur

21.12.2021 18:27

Ministria e Drejtësisë njoftoi se tërhiqet plotësisht nga kërkesa drejtuar presidentit për faljen e disa të burgosurve...

Ministria e Drejtësisë njoftoi se tërhiqet plotësisht nga kërkesa drejtuar presidentit për faljen e disa të burgosurve dhe këtë vit nuk do të dorëzojë listë të re. Vendimi është marrë me qëllim forcimin e kritereve dhe filtrave për kushtet e faljes, thonë nga kjo ministri, duke paralajmëruar zgjidhje të re ligjore për falje. 
 
“Pas konsultimeve me Drejtorinë për Zbatimin e Sanksioneve, Ministria e Drejtësisë ka vendosur të mos e ndjek propozimin për falje grupore, përkatësisht lista të abrogohet. Kjo bëhet për arsye të kohës së precizimit të kritereve dhe forcimit ligjor të filtrave mbi atë se si veprohet dhe si formohen listat e personave të cilët fitojnë të drejtën për të kërkuar faljen.”– thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë. 
 
Pendarovski: Në parim kërkesë për falje duhet të ketë
 
Ndërkohë, presidenti, Stevo Pendarovski, thotë se në parim falje për të burgosurit duhet të ketë, por lista e propozimeve është kthyer në Ministrinë e Drejtësisë dhe nga ata varet se kur do ta kthejnë përsëri. I pyetur nëse do të falte Boban Iliqin, Aleksander Vasilevskin dhe Sead Koçanin, Pendarovski tha se asnjëherë nuk do të falë persona të cilët kanë kryer vepra të rënda penale.
 
“Vendimi im prej sa vitesh jam president edhe para komisionit të cilin e kam formuar unë dhe në të cilin ka persona me integritet, rastet të cilat kanë nxitur reagime të ashpra në opinion ose raste të cilat kanë marrë dënime të merituara për veprat e bëra, as nuk arrijnë deri tek unë. Asnjëherë nuk kam falur persona që nuk meritojnë faljen.”,- u shpreh presidenti, Stevo Pendarovski.
 
Pas reagimeve në opinion se në listën e propozuar për falje ndodhen edhe emrat e Boban Iliqin, Aleksander Vasilevskin dhe Sead Koçanin, Ministria e Drejtësisë tërhoqi materialin për të rishqyrtuar të njëjtin. 
 
GAZMEND REXHEPI