Botë

Putin paralajmëron kundërmasa lidhur me Ukrainën

21.12.2021 19:02

Presidenti rus, Vladimir Putin ka deklaruar se Rusia është e gatshme të ndërmarrë masa “ushtarake-teknike”...

Presidenti rus, Vladimir Putin ka deklaruar se Rusia është e gatshme të ndërmarrë masa “ushtarake-teknike” në përgjigje të veprimeve “jomiqësore” të Perëndimit mbi konfliktin në Ukrainë.
Putin për javë të tëra ka akuzuar Shtetet e Bashkuara dhe Aleancën Veri-Atlantike (NATO) se kanë nxitur rritjen e tensioneve në afërsi të kufijve të Rusisë, por këto janë deklaratat e para që lënë të kuptohet për një konflikt të mundshëm. 
 
“Në rast të vazhdimit të qëndrimit, dukshëm agresiv, të kolegëve tanë perëndimorë, ne do të ndërmarrim masa e duhura ushtarake-teknike”, tha Putini gjatë një takimi në Ministrinë e Mbrojtjes së Rusisë. Rusia “do të reagojë ashpër ndaj hapave jomiqësorë”, tha Putini, duke shtuar se ai dëshiron “të theksoj se ne kemi të drejt ta bëjmë një gjë të tillë”. 
 
Që prej mesit të muajit nëntor, Shtetet e Bashkuara kanë ngritur alarmin se Moska mund të jetë duke përgatitur një sulm të shkallës së gjerë në Ukrainë dhe e ka paralajmëruar Putinin se në rast se do të ndodhë një gjë e tillë, Moska do të përballej me sanksione të paprecedentë. Qeveritë perëndimore e kanë akuzuar Moskën se ka grumbulluar rreth 100,000 trupa pranë kufirit në lindje të Ukrainës, ku Kievi po lufton me separatistët pro-rusë që prej vitit 2014.