Situata Covid, Filipçe: S’ka nevojë për masa shtesë gjatë festave
Për festat e fundvitit....

Për festat e fundvitit nuk ka nevojë për masa të reja kufizuese për mbrojtjen nga Covid-19, tha ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe, që vlerëson se masat aktuale mjaftojnë. Ai thotë se grumbullime ka edhe në periudhën para Vitit të Ri e nuk ka nevojë të bëhen kufizime të reja vetëm për festat.
“Tani për tani nuk janë planifikuar kurrfarë masash të reja restriktive, vlerësojmë se janë të mjaftueshme rekomandimet aktuale për dalje edhe hyrje në vend ku kërkohet vaksinim i plotë, testim ose dëshmi për shërim nga Covid-19. Vlerësoj se përfshirja me vaksinim është e mjaftueshme, pasi arrin në 50 deri në 55% . Nëse i përjashtojmë fëmijët, është mesatarisht përqindje e lartë. Më vjen keq që ka rënë interesi dhe nuk do të arrijmë mbulimin 70 apo 80 % në një periudhë të afërt. Mendoj se masat aktuale kufizuese në prag të festave të Vitit të Ri janë të mjaftueshme. Tani situata është mjaft e qetë, grumbullime ka nuk e kuptoj pse vetëm për festat e Vitit të Ri do të bënim kufizime shtesë.",- deklaroi ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
Filipçe: Virusi është i paparashikueshëm, vaksinohuni!
Se çfarë do të ndodhë më pas, thotë Filipçe, nuk mund të parashikohet. Nuk dihet nëse do paraqitet ndonjë variant i ri i virusit që do përkeqësonte situatën e kjo është arsyeja përse autoritetet këmbëngulin në sa më shumë vaksinime.
“Të dhënat që dalin nga studimet e fundit tregojnë se efikasiteti ndaj variantit Omicron rritet ndjeshëm me marrjen e dozës së tretë përforcuese. Efikasiteti seriozisht është rritur me disa dhjetëra për qind dhe për këtë arsye ne insistojmë që vaksinimi të vazhdojë, qytetarët e vaksinuar me dy doza të marrin një dozë të tretë. Vlerësojmë se kjo është rrugëdalja nga kriza.”,- u shpreh ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
Filipce u shpreh krenar ndërkohë për punën që ka bërë gjatë pandemisë bashkë me ekipin e tij. Në bazë të marrëveshjes Zaev Gashi, Ministria e Shëndetësisë në qeverinë e re do t’i takojë Alternativës, e cila ka propozuar për këtë post sekretarin e përgjithshëm të saj, Bekim Salin. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)
