OBSh: Një tjetër stuhi po i afrohet Europës

22.12.2021 13:46

Shefi i OBSh-së për Europën....

Shefi i OBSh-së për Europën paralajmëroi vendet e kontinentit të vjetër  që të përgatiten për rritje të konsiderueshme të rasteve me virusin Korona për shkak të variantit Omicron dhe përsëriti thirrjen që qytetarët të marrin dozat përforcuese të vaksinës.

89% e rasteve të hershme të Omicron në Europë shoqërohen me simptoma të zakonshme të COVID-19, si kollë, dhimbje fyti dhe ethe, me raste të regjistruara kryesisht midis personave të moshës 20-30 vjeç.

“Ne mund të shohim një stuhi tjetër që po vjen. Omicron është tashmë dominues në një numër vendesh evropiane, duke përfshirë Britaninë e Madhe, Danimarkën dhe Portugalinë. Brenda javësh, Omicron do të dominojë në më shumë vende të rajonit. Vëllimi i madh i infeksioneve të reja të COVID-19 mund të çojë në më shumë shtrime në spitale dhe ndërprerje të shërbimeve të tjera kritike.”,- tha shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Europën, Hans Kluge.

Covid-19, EMA miraton vaksinën e pestë “Nuvaxocid”

Ndërkohë, Agjencia Europiane e Barnave ka miratuar zyrtarisht vaksinën e pestë anti-Covid, pas atyre të prodhuara nga Pfizer, Johnson&Johnson, Moderna dhe Asta Zeneca.

Bëhet fjalë për vaksinën Nuvaxocid, të prodhuar nga ndërmarrja amerikane Novavax.

Bashkimi Europian ka porositur paraprakisht 200 milionë doza të kësaj vaksine që ka një përbërje deri diku tradicionale, pra jo të bazuar në ARN, duke kombinuar disa proteina, ashtu siç ndodh në vaksinën për hepatitin B. Izraeli nga ana tjetër do të fillojë një dozë të katërt të vaksinës me efekt të menjëhershëm.

Rekomandimi erdhi nga grupi i ekspertëve të vendit, sipas të cilëve, doza shtesë do t’u jepet personave mbi 60 vjeç, punonjësve mjekësorë dhe njerëzve me sistem imunitar të dobët. (Vlora Latifi Topojani, TVM2)