Maqedoni

Fjalimi vjetor i presidentit, Pendarovski: Të zbardhen arsyet e fatkeqësive

22.12.2021 15:43

Në frymën e unifikimit të forcave shoqërore dhe politike në vend ishte fjalimi i fundit të presidentit, Stevo Pendarovski....

Në frymën e unifikimit të forcave shoqërore dhe politike në vend ishte fjalimi i fundit të presidentit, Stevo Pendarovski, në kuvend. Pendarovski fjalimin e nisi me një minutë heshtje për nder të viktimave në spitalin modular ne Tetovë, aksidentit në Bullgari, si dhe viktimat e pandemisë. Traumat kolektive, tha Pendarovski, duhet të zgjojnë përgjegjësinë e institucioneve në zbardhjen e shkaqeve të fatkeqësive. Pendarovski kërkoi zbatimin e ligjeve në praktikë dhe procese gjyqësore me epilog konkret.
 
“Forma e vetme për të kthyer besimin tek institucionet është të kemi epilog gjyqësor të secilit rast. Fatkeqësia me autobusin është i fundit në serinë e rasteve të tilla dhe nëse ky rast sikurse rastet paraprake nuk marrin epilog gjyqësor në kohë të caktuar, mosbesimi i qytetarëve vetëm se do të rritet.”,- tha presidenti, Stevo Pendarovski.
 
Pendarovski: Integrim, por jo me çdo kusht
 
Duke u ndalur edhe në pika të tjera, kreu i shtetit theksoi se prioritet kombëtar është integrimi europian, por jo me çdo çmim. Pendarovski pajtohet vetëm me deklarimet e fundit të qeverisë së re bullgare se theksi i marrëdhënieve maqedono-bullgare duhet të zhvendoset nga pikat e përbashkëta të së ardhmes.
 
“Nuk shoh asnjë politikan në vend I cili do të donte të shes popullin e tij për integrime të tilla europiane. Rezoluta e miratuar në kuvend është indikator I mjaftueshëm në këtë drejtim. Nëse bllokada zgjatë, qytetarët të jenë të qetë se s’do ketë destabilzim, por vetëm kthim parapa të proceseve demokratike,  sundim populist të individit, grupacioneve apo partisë.”,- u shpreh presidenti, Stevo Pendarovski.
 
Pendarovski: Qeveria e re të zgjidhë problemet reale
 
Pendarovski përshëndeti largimin nga ekzekutivi të kryeministrit Zaev, pasi një akt i tillë, sipas tij, rrallë herë ndodh në demokracitë e reja, ndërkaq ftoi qeverinë e re të merret me problemet reale të qytetarëve.
 
“Dy muaj harxhuam në zgjedhjet lokale dhe më shumë kohë në kalkulime për kombinatorika partiake për një shumicë të re parlamentare. Pres që qeveria e re sa më shpejtë të merret me problemet reale të qytetarëve, të cilat këtë vit u shtuan nga pandemia, ekonomia e deri tek kriza energjetike e cila nga e para do të thellohet.”,- theksoi presidenti, Stevo Pendarovski.
 
Reformim i institucioneve ishte pjesë analizës vjetore të presidentit, i cili tha se për sistem efektiv të aparatit shtetëror, punonjësit duhet të zgjedhin midis administratës ose politikës. Presidenti kërkoi edhe edukimin mediatik të të rinjve si dhe shtimin e kontrolleve në sektorin e ekonomisë si pasojë e kërcënimeve hibride dhe dezinformatave në rritje.
 
MERAL ISMAILI