Maqedoni
Zaev deponon dorëheqjen, kuvendi pritet ta konstatojë të enjten
22.12.2021 16:36
Kryeministri, Zoran Zaev, dorëzon në Kuvendin e Republikës dorëheqjen e tij dhe kabinetit qeveritar...

Pas disfatës në zgjedhjet lokale, Zaev paralajmëroi se do të tërhiqet nga të gjitha funksionet. Tani, veç më ka dhënë dorëheqje nga pozicioni i kryetarit në LSDM, ku lider i ri u zgjodh Dimitar Kovaçevski, i cili duhet të jetë edhe mandatar për Qeverinë e re.
“Siç ishte paralajmëruar, pas fjalimit vjetor të presidentit të shtetit do të deponohet edhe dorëheqja.”,- tha zëdhënësi i Qeverisë, Dushko Arsovski.
Koordinatori i grupit parlamentar i LSDM-së, Jovan Mitrevski, tha se dorëheqja e Qeverisë, pritet të konstatohet gjatë të enjtes.
“Dorëheqja do të dorëzohet gjatë ditës së sotme, s’kam informatë se është dorëzuar deri tani dhe sipas procedurave ajo do të vihet në rend dite në seancën e radhës. Seanca e radhës është caktuar për nesër, është seancë për pyetje deputetësh në të cilën do të konstatohet dorëheqja.”,- u shpreh koordinatori i GP i LSDM-së, Jovan Mitrevski.
Ademi: Shumica është stabile, vazhdojmë programin
Pavarësisht dorëheqjes së Qeverisë, kjo shumicë është stabile dhe do të vazhdojë mandatin deri në zgjedhjet e rregullta, konsiderojnë nga BDI.
“Edhe në ditën kur do të votohet Qeveria e re, nëse formalisht kemi një dorëheqje dhe një propozim program dhe propozim zgjidhjet personale kadrovike për një qeveri të re, do të ketë një shumicë stabile dhe të qëndrueshme e cila do të jetë e rreshtuar pas Qeverisë dhe përcaktimeve programore të Qeverisë.”,- u shpreh koordinatori i GP të BDI-së, Arbër Ademi.
Snopçe: Nuk kanë kapacitet të menaxhojnë shtetin
Mirëpo opozita shqiptare konsideron se edhe qeveria e re s’do të ketë jetëgjatësi, pavarësisht shumicës së konsoliduar.
“Ato momentalisht funksionojnë me një shumicë të re dhe besoj se qeveria e re do të votohet nga ana e tyre por nuk do të jetë afatgjate. Kjo Qeveri është stabile, do të shpërthejë për shkak se s’ka kapacitet të menaxhojë me punët shtetërore.”,- u shpreh deputeti i ASh-së, Halil Snopçe.
Konform Rregullores për punë të Kuvendit, Neni 219, dorëheqja e Qeverisë ose e Kryetarit të Qeverisë, i paraqitet Kryetarit të Kuvendit në formë të shkruar dhe mund të arsyetohet. Dorëheqjen e Qeverisë ose të Kryetarit të Qeverisë, Kryetari i Kuvendit, menjëherë, ua dërgon deputetëve dhe Presidentit të Republikës.
Ndërsa, Neni 220 thotë se Kuvendi në seancën e parë të radhës, pa diskutim, konstaton që kryetarit të Qeverisë, Qeverisë ose anëtarit të Qeverisë, u pushon mandati në ditën e mbajtjes së seancës.
SHPËTIM NUREDINI
