Maqedoni
Termometri në minus, zbutje e temperaturave vetëm pas të dielës
22.12.2021 17:21
Këto ditë vendi është nën ndikimin e masës së ftohtë të ajrit që kanë sjellë mëngjese shumë të ftohta....

Këto ditë vendi është nën ndikimin e masës së ftohtë të ajrit që kanë sjellë mëngjese shumë të ftohta. Temperaturat kanë shënuar rënie drastike. Në Berovë dhe Mavrovë mëngjesin e së mërkurës u shënuan minus 13 gradë, në Shkup minus 10, ndërsa temperatura më e lartë u regjistrua në Gjevgjeli me -4 gradë. Pak më ngrohtë do të jetë vetëm pas së dielës.
“Pas vranësirave të shtuara temperaturat, në veçanti ato të mëngjesit nga e diela e tutje do të jenë mbi zero. Pra nuk do të ketë mëngjese aq të ftohta sa kishim si dhe temperaturat e ditës do të kenë tendencë për rritje të lehtë. Pra të dielën pasdite, të hënën dhe të martën pritet mot me reshje lokale të shiut dhe i ndryshueshëm. Më pas do kemi një periudhë me mot të thatë që do të thotë se ditët para Vitit të Ri presim mot stabil me temperatura që do të jenë brenda mesatares për këtë periudhë të vitit.”,- u tha nga Enti Hidrometeorologjik.
Për momentin për natën e ndërrimit të viteve meteorologët nuk parashohin kushte për reshje.
LEUNORA KALIQI
