Rikthehet linja Strugë-Ohër –Pogradec, mjete nga fondet IPA për dy anije ekologjike

23.12.2021 11:55

U rikthye linja ujore Strugë-Ohër -Pogradec....

U rikthye linja ujore Strugë-Ohër -Pogradec. 1 milion e 500 mijë euro janë miratuar nga programi IPA për bashkëpunim ndërkufitar. Me to do të blihen dy anije ekologjike që funksionojnë me energji diellore që do të shërbejnë për shëtitje përmes liqenit, pa e ndotur florën dhe faunën e tij.
 
Sipas rekomandimeve të UNESCO-s, gjithsesi nuk do të ketë limane të reja në Strugë, Ohër dhe Pogradec, e anijet do ankorohen në platformat ekzistuese. Kjo ide për zhvillimin e turizmit vjen nga HOTAM dhe realizohet përmes Ministrisë së Pushtetit Lokal dhe programit IPA.  
 
“Është një atraksion turistik që do operojë në të 12 muajt e vitit. Anijet do operojnë me energji diellore pra me zero ndotje të liqenit. Mjetet financiare tashmë na janë miratuar.”,- tha kryetari i HOTAM, Krste Bllazheski.
 
Lidhja përmes liqenit e tre qyteteve pritet të jetë atraksioni i ri turistik për të cilin punohet tashmë një vit. Për momentin po precizohen detajet për policinë dhe doganën mes dy vendeve. Linja e anijeve që lidhin tre qytetet, nuk është ide e re, linja ka funksionuar më herët. Por pas një gjysmë shekulli ndërprerje, në vitin 2014 u vendos një linjë anijesh mes Ohrit dhe Pogradecit, e cila u shua sërish në 2017, për shkak të interesit të ulët të anijeve komerciale. Projekti i ri pritet të nisë të funksionojë verën e ardhshme. 
 
VLORA LATIFI TOPOJANI