Maqedoni

Qeveria e re, nis rrjedhja e afateve

23.12.2021 13:36

Kuvendi edhe zyrarisht konstatoi dorëheqjen e Kryetarit të Qeverisë...

Kuvendi edhe zyrtarisht konstatoi dorëheqjen e kryetarit të Qeverisë, ndërsa dorëheqja e kryeministrit tërheq edhe dorëheqjen e gjithë Qeverisë, me çka fillojnë të vijojnë edhe afatet kushtetuese për zgjedhjen e Qeverisë së re.
 
Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Rregullorja e Kuvendit e rregullojnë procedurën në rast dorëheqjeje të kryetarit të Qeverisë. 
 
Në nenin 93 të Kushtetutës është theksuar se “Dorëheqja e kryetarit të Qeverisë, vdekja e tij ose pengesa e përhershme që ta kryejë funksionin, tërheqin dorëheqje të Qeverisë. Qeveria e cila ka dhënë dorëheqje ose së cilës i është ndërprerë mandati, mbetet në detyrë deri në zgjedhjen e Qeverisë së re”. 
 
Në nenin 219 të Rregullores së Kuvendit, qëndron se “Qeveria, kryetari i Qeverisë ose anëtar i Qeverisë mund të japin dorëheqje. Dorëheqja e Qeverisë ose e kryetarit të Qeverisë, parashtrohet te kryetari i Kuvendit në formë të shkruar dhe mund të shpjegohet… Dorëheqjen e Qeverisë ose kryetarit të Qeverisë, kryetari i Kuvendit menjëherë e dorëzon te deputetët dhe te presidenti i Republikës”.
 
Në nenin 220 më tutje thuhet se “Kuvendi në mbledhjen e parë të ardhshme, pa debatuar, konstaton se kryetarit të Qeverisë, Qeverisë dhe anëtarit të Qeverisë, mandati iu ndërpritet në ditën e mbajtjes së mbledhjes”. 
 
Më pas sipas nenit 90 të Kushtetutës, presidenti i shtetit është i obliguar në afat prej dhjetë ditësh t’ia besojë mandatin për përbërjen e Qeverisë një kandidati të partisë, gjegjësisht partive që kanë shumicë në Kuvend. 
 
Mandatari në afat prej 20 ditësh nga dita e dorëzimit të mandatit, Kuvendit i dorëzon program dhe e propozon përbërjen e Qeverisë. Qeverinë me propozimin e mandatarit dhe në bazë të programit, e zgjedhë Kuvendi me shumicë votash nga numri i përgjithshëm i deputetëve.


ZEKIRJA MEXHITI