Maqedoni
Kuvendi konstatoi dorëheqjen e qeverisë Zaev
23.12.2021 15:04
Kuvendi konstatoi dorëheqjen e kryeministrit, Zoran Zaev, dhe dorëheqjen e Qeverisë, në tërësi....

Kuvendi konstatoi dorëheqjen e kryeministrit, Zoran Zaev, dhe dorëheqjen e Qeverisë, në tërësi. Kryeministri në largim, Zoran Zaev, zgjodhi të mos arsyetojë dorëheqjen në seancë plenare. “E mora këtë vendim si hap logjik që vjen pas rezultateve të zgjedhjeve lokale dhe si shprehje e përgjegjësisë së marrë për rezultatet zgjedhore.”,- thuhet mes tjerash në arsyetimin me shkrim. Konform kushtetutës, Qeveria “Zaev 2” mbetet në detyrë deri në zgjedhjen e Qeverisë së re.
“Ju njoftoj se kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dha dorëheqje. Në bazë të nenin 93, paragrafi 3 i Kushtetutës së RMV-së, dorëheqja e kryetarit të Qeverisë tërheq edhe dorëheqjen e Qeverisë. Konstatoj se në bazë të Nenin 220 të Rregullores së Kuvendit kryetarit të Qeverisë dhe Qeverisë u ndërpritet mandati. Në bazë të Nenit 93, paragrafi 5 i Kushtetutës së RMV-së Qeveria mbetet në detyrë deri në zgjedhjen e qeverisë së re.”,- tha kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.
VMRO: Problemet që nxiti do zgjasin ndër vite
Opozita e priti me duartrokitje konstatimin e dorëheqjes së qeverisë Zaev 2. VMRO DPMNE akuzoi qeverinë Zaev për qeverisje të keqe dhe për vendosjen e shtetit në pozitë të nënshtruar. “Gabimet dhe problemet që nxiti do të zgjasin ndër vite.”, paralajmërojnë nga partia e Mickoskit.
“Dorëheqja e Zaevit nuk është akt moral. Është akt për shpëtim dhe përpjekje që përmes instalimit të një ushtari si Dimitar Kovaevski, të shpëtoj nga përgjegjësia. Qeveria e LSDM-së në paralajmërim është qeveri me afat të shkurt. Populli dëshiron zgjedhje dhe zgjedhjet janë zgjidhja e vetme që shteti të harrojë zaevizmin dhe të nis përpara.”,- tha Dafina Stojanoska nga VMRO-DPMNE.
ASh: U largua pa përgjigje për ndodhitë
Edhe për ASh-në, dorëheqja e Zaevit është e vonuar. Sipas opozitës shqiptare, dorëheqja e qeverisë konfirmon konstatimet e saj për keqqeverisje.
“Ai i cili gjithmonë thirrej në fytyrë të pastër, sot u largua pa u ballafaquar me ata që e zgjodhën në atë post, deputetët, gjegjësisht të zgjedhurit e popullit. Me këtë akt Zaev konfirmoi gjithçka që ne si opozitë e kemi konstatuar gjatë qeverisjes që ai e drejtoi dhe kjo e delegjitimon edhe Qeverinë e cila paralajmërohet të pasojë me një emër tjetër të kryeministrit, por me kabinet të njëjtë në pjesën më të madhe.”,- theksoi Ilire Dauti nga ASh.
Konform Nenit 90 të Kushtetutës, Presidenti i Republikës e ka për detyrë që në afat prej dhjetë ditëve, mandatin për formimin e Qeverisë t’ia besojë kandidatit të partisë, përkatësisht partive që kanë shumicë në Kuvend ndërkaq, mandatari, në afat prej 20 ditëve, nga dita e besimit të mandatit, ia paraqet Kuvendit programin dhe i propozon përbërjen e Qeverisë. Kuvendi e zgjedh Qeverinë me shumicën e votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve.
SHPËTIM NUREDINI
