Maqedoni

Paraburgimi i Mijallkovit, Mbrojtja: Penalja solli vendim nën presion të pushtetit

23.12.2021 15:59

Disa orë pasi Gjykata e Apelit në Shkup liroi ish shefin e DSK-së, Sasho Mijallkov, nga paraburgimi me garanci prej 11 milion euro....

Disa orë pasi Gjykata e Apelit në Shkup liroi ish shefin e DSK-së, Sasho Mijallkov, nga paraburgimi me garanci prej 11 milion euro, pas reagimeve të shumta në opinion, Gjykata Penale solli vendim të ri, duke i shqiptuar paraburgim për lëndë tjetër. Kësaj radhe akoma pa u liruar nga burgu i Shutkës, ishte prokurorja publike, Lile Stefanova, ajo që kërkoi paraburgim për Mijallkovin, me arsyetimin se mund të arratiset për rastin "Parcelat në Vodno". Pas vendimit të Apelit për lirimin e Mijalkovit, ka reaguar në facebook ministri i drejtësisë, Bojan Mariqiq, i cili në mënyrë direkte me emër dhe mbiemër, përmendi emrat e gjykatësve të cilët liruan Mijallkovin, duke kërkuar nga ata që të arsyetojnë vendimin e marrë. Mariqiq njëhërit kërkoi edhe nga Këshilli Gjyqësor që të shqyrtojë këtë vendim. Nga mbrojtja theksojnë se arsyetimi  i Gjykatës Penale që Mijallkovi të qëndrojë në paraburgimin është se i njëjti posedon kontakte me shërbimet sekrete me vendet përreth dhe posaçërisht me shërbimet sekrete izraelite.
 
 
Ngjarjet e djeshme janë dëshmi se pushteti ekzekutiv akoma ka ndikim mbi pushtetin gjyqësor, vlerëson mbrojtja.
 
“Duke e parë të gjithë situatën në të cilën ministri i drejtësisë bëri presion të paparë si pushtet ekzekutiv mbi gjyqësorin dhe Këshillin Gjyqësor vetëm se tregon se pushteti ekzekutiv nuk është i gatshëm të tërhiqet nga ndikimi në pushtetin gjyqësor dhe se me siguri nuk është e qartë se gjyqësori është në nivele aq të ulëta dhe kjo që ndodhi dje e rëndon edhe më shumë.”,- tha avokati mbrojtës, Zvonko Davidoviq.
 
Sipas mbrojtjes, Apeli ka vlerësuar të gjitha lëndët dhe rrethanat personale para se të vendosë dhe se garancia e dhënë e siguron prezencën e tij. Tani ndaj Mijallkovit ka masë paraburgimi si dhe vendim aktiv për pronë të konfiskuar prej 11 milion euro të shoqëruar me masa të tjera të kujdesit që është e palejueshme dhe në kundërshtim me të gjitha dispozitat, vlerëson mbrojtja e Mijallkov. Më 22 shkurt të vitit të kaluar, Mijallkovit i ishte caktuar masa e paraburgimit, por i njëjti për 24 orë ishte i pakapshëm për organet e ndjekjes. Më pas ai vet u paraqit në gjykatë me arsyetimin se nuk është arratisur, por që ka pasur simptoma nga KOVID-19 dhe është vetizoluar. 
 
FLORIJE BELULI KAMBERI