Maqedoni

ITKSh, ceremoni solemne për festën e Krishtlindjeve

23.12.2021 16:14

ITKSH shënoi festën e krishtlindjeve dhe kjo datë parashihet të jetë festë...

ITKSH shënoi festën e krishtlindjeve dhe kjo datë parashihet të jetë festë tradicionale në kalendarin e ngjarjeve që përmbylli vitin në kuadër të këtij  instituti. Me këtë rast u rikujtuan shqiptarët katolik të Shkupit dhe kontributi i tyre emancipues për këtë qytet të lashtë dardan. 
 
“Shkupi vazhdon të mbetet pengu më i madh intelektual e kulturor i yni dhe si i tillë ky qytet i lashtë bashkë me shkëlqimin e dikurshëm vazhdon të na ftojë të jemi aty kur dikur kur Kolë Bojaxhiu dhe bashkëmoshatarët e tij kishin hedhur hapat e parë të emancipimit kulturor dhe vetëdijesimit shoqëror por tani me një dimension tjetër.”,- tha drejtori i ITKSh-së, Skender Asani.
 
“Globalizimi dhe trendet negative migruese kanë ndikuar që komunitetin shqiptar katolik të Shkupit të rrudhet në përmasa të frikshme. Me këtë ceremoni modeste ne si Institut duam të ndezim ato pak drita alarmi që kanë ngelur në ndërgjegjet e njerëzve, që kujdesi dhe vëmendja ndaj këtij komuniteti të marrë një dimension më serioz në shkallë institucionale.”,- tha Emin Azemi nga ITKSh.
 
“Ne dalëngadalë gjurmojmë zbulojmë dhe vlerësojmë rrënjët tona, traditën tonë, kulturën tonë lashtësinë tonë ilire arbënore dhe shqiptare këto hallka të cilat bashkohen dhe krijojnë zinxhir që na ndihmon neve të takohemi të afrohemi me Zotin dhe përmes fuqisë ës tij edhe me njëri tjetrin.”,- u shpreh ipeshkvi Don Lush Gjergji nga Kosova.
 
“Unë ftoj Skënderin dhe Institutin që të hapin dosjen e kishës së Bigorit dhe varrezat e familjes Markaj. Janë varreza me mbishkrime myslimane, por me pamje shumë krishtere.”,- theksoi diplomatja, Adelina Marku.
 
“Duhet të mblidhemi dhe të bëjmë film, por vetëm periudha deri në tetëmbëdhjetë vjet kur ajo tha lamtumirë populli im nëna ime se unë po shkoj. Ky film duhet të koncentrohet vetëm te Gonxhe Bojaxhiu në këtë moshë, sepse vetëm kështu mund t’u kthemi rrënjëve tona dhe botës t’i themi se kush jemi.”,- u shpreh publicistja, Diana Toska.
 
ITKSH uron që krishtlindjet e sivjetme t’i bëjë të gjithë shqiptarët bashkë për një orientim civilizues drejt vlerave dhe aspiratave evropiane. 
 
FLUTURA LATIFI