Maqedoni

Ndërpritet kanali i trafikut të drogës, Spasovski: 3 policë dhe 5 doganierë arrestohen

23.12.2021 16:29

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, ka ndarë detaje rreth aksionit ku mbetën të arrestuar 10 persona...

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, ka ndarë detaje rreth aksionit ku mbetën të arrestuar 10 persona mes tyre 3 policë dhe 5 doganierë si pjesë e kanalit ndërkombëtarë për trafikim droge. Dyshohen për prodhim dhe tregti të paautorizuar të lëndëve narkotike. Gjatë bastisjes së shtëpive të personave të akuzuar është gjetur kokainë, marihuanë, shumë të mëdha të devizave dhe municion. Hetimi për aksionin ka zgjatur rreth 9 muaj dhe gjatë kësaj periudhe janë vërtetuar  dyshimet se zyrtarët  doganor  kanë bashkëpunuar me policët e dyshuar. Gjatë ndalesës së parë të furgonit në afërsi të aeroportit ndërkombëtarë të Shkupit janë thirrur doganierët për kontroll të furgonit të cilët kanë konstatuar se gjithçka është në rregull.
 
“Nga ana e shërbimit doganor është  dërguar një ekip të cilët me të mbërritur në vendngjarje nuk kanë ndërmarrë masat e nevojshme por i kanë njoftuar zyrtarët policorë se nuk janë konstatuar parregullsi, gjegjësisht çdo gjë është në rregull me mallin, dhe detyrimet doganore janë paguar në rregull. Kanë vazhduar rrugën me pretekstin  se mallin do ta merrnin për kontroll shtesë në një terminal doganor në zonën e Kumanovës, duke “pastruar” rrugën, furgonin e ngarkuar e kanë çuar në destinacionin e fundit, pronë në shtëpinë e njërit prej të dyshuarve.”,- tha ministri i punëve të brendshme, Oliver Spasovski.
 
Pas dërgimit të mallit në Kumanovë zyrtarët e doganës janë kthyer në Shkup, ndërsa pas sigurimit të urdhrit nga gjykata është bastisur shtëpia dhe automjeti dhe gjatë bastisjes është konstatuar  se në automjet ndodhen 13 kuti të mëdha, me gjithsej mbi 1.5 milion tableta pa ambalazh fabrike me vlerë mbi 100.000 dollarë. Spasovski shtoi se ky aksion nuk ka mbaruar dhe ende vazhdon sigurimin e provave shtesë për përfshirjen e personave të tjerë në hetim. Ndaj policëve dhe doganierëve të dyshuar do të fillohet procedurë disiplinore dhe do të suspendohen  nga puna.
 
GAZMEND KURTISHI