Vriten dy polic në Nju Jork

21.12.2014 19:12

Një person i armatosur mbrëmë ka vrarë dy policë në Nju Jork, e pastaj e ka vrarë edhe vetveten. Shefi i policisë së Nju Jorkut ka bërë të ditur se dy policë janë vrarë në veturën e tyre në Bruklin pa ndonjë provokim ose tërheqje të vërejtjes......

Dy policë janë ekzekutuar në Nju Jork në kontekstin e protestave pas vendimit të Gjykatës për të mos penalizuar policin që vrau afroamerikanin Eric Garner. Vrasësi është Ishmael Brinsley, 28 vjeç nga Baltimora.

Pak para se të arrinte në Brooklyn, ka plagosur edhe ish-të dashurën e tij. Më pas ka postuar një mesazh në Instagram ku shpreh qëllimet e tij: “Ata kanë vrarë njërin prej nesh, unë do vras dy prej tyre”, ka shkruar Brinsley. Ngjarja e rëndë vjen në një moment tensioni shumë të lartë racial në SHBA. Dy policët Wenjian Liu e Rafael Ramos, janë transferuar me urgjencë në spital, por nuk mbijetuan.

Dhjetra policë të qytetit të Nju Jorkut mbrëmë nderuan policët Wenjian Liu dhe Rafael Ramos ndërkohë që trupat e tyre po nxirreshin nga spitali.

"Cilat ishin motivet e tij? Pra ato postime anti-policore në Instagram. Ne gjithashtu do të shikojmë nëse në të kaluarën i dyshuari ka bërë postime të tjera dhe nëse ai kishte llogari të tij në mediat sociale. Ne jemi në dijeni të llogarive të përdoruara dje pasdite kur ai po vinte në Nju Jork, ato janë pjesë e hetimeve të shumta në përpjekje për të kuptuar se cilat ishin motivet e tij" – tha Bill Bratton,  komisioner i policisë së Nju Jorkut.

Edhe presidenti amerikan Barak Obama dënoi vrasjen e dy policëve në qytetin e Nju Jorkut në mes të ditës ndërkohë që ata ishin në detyrë në makinën e tyre.

Atentatori i është afruar makinës së policisë dhe ka qëlluar nga dritarja. Më pas ka tentuar të largohet drejt metrosë, por kur ka kuptuar që ishte rrethuar, ka qëlluar veten. Sipas hetuesve vrasjet janë hakmarrje për vdekjen e 18 vjeçarit me ngjyrë Michael Brown, vrarë nga një polic në Ferguson (Missouri), dhe në veçanti vrasja e Eric Garner, i cili u mbyt gjithashtu nga një polic.

Në të dyja rastet Gjykata ka vendosur të mos penalizojë policët e përfshirë. Kjo ka shkaktuar protesta të dhunshme me manifestime që vazhdojnë edhe sot. (Naim Ramadani, TVM2)