Të krishterët në festë, nisin përgatitjet për të shënuar Krishtlindjen
24.12.2021 13:37
Besimtarët katolikë dhe një pjesë e të krishterëve ortodoksë....

Besimtarët katolikë dhe një pjesë e të krishterëve ortodoksë, të cilët udhëhiqen sipas Kalendarit Gregorian, festojnë Lindjen e Krishtit.
Liturgjia e shenjtë mbahet sonte në mesnatë në Kishën katolike "Zemra e shenjtë e Jezusit" në Shkup.
“Ka vullnet të mirë, ka paqe, ka gëzim dhe kënaqësi, atje është Zoti me engjëjt e tij, atje është një Krishtlindje e shenjtë dhe e bekuar. Dhe vetëm një Krishtlindje të tillë do t'i uroja gjithë botës së krishterë: Krishtlindjet nga parajsa, Krishtlindjet me Jezusin, Krishtlindjet me të gjitha gëzimet!”, tha Kiro Stojanov, ipeshkvi i Shkupit dhe Dioqezës Strumicë-Shkup
Është ky viti i dytë me radhë që miliarda njerëz festojnë mes pandemisë së Covid-19. Izraeli mbylli kufijtë përsëri këtë vit, duke mos lënë pelegrinët në Betlehem. Megjithatë, një procesion festiv u organizua në qytetin e vjetër, jo shumë larg Kishës së Lindjes së Krishtit. Në Vatikan mesha tradicionale e Krishtlindjes kremtohet nga Papa Françesku në Bazilikën e Shën Pjetrit dhe të shtunën Papa do të japë bekimin tradicional “Urbi et Orbi”. Në Holandë, Shtetet e Bashkuara dhe Spanjë festohet me kufizime për shkak të Covid-19 dhe anulim të disa ngjarjeve për shkak të përhapjes së Omicron.
Krishtlindja është një festë që origjinën e ka nga perandori Romak Konstandini, e festohet çdo vit në natën mes datës 24 dhe 25 dhjetor dhe përgjatë tërë datës 25. Pas Pashkëve, Krishtlindja është festa më e rëndësishme në kalendarin liturgjik të krishterë. Sot festa është zhveshur shumë nga simbolika fetare, dhe në shumë vende, Krishtlindja festohet si ditë ku familjet mblidhen bashkë përreth një dreke festive, për të shkëmbyer dhurata.
Krishtlindjet sot i festojnë edhe Kishat ortodokse greke, bullgare, rumune, ukrainase dhe gjeorgjiane, të cilat e pranuan kalendarin Gregorian. Kisha ortodokse ruse, serbe dhe maqedonase, Partiarkana e Jerusalemit, si dhe një pjesë e murgjve në Malin e Shenjtë, që udhëhiqen nga kalendari Julian, Krishtlindjet i festojnë më 7 janar.
MIGENA GORENCA
