Maqedoni
Strugë, nxënësit kërkojnë burg për profesorin
24.12.2021 16:00
Nxënësit e gjimnazit Ibrahim Temo në Strugë protestuan sot para gjykatës, pas incidentit të djeshëm...

Nxënësit e gjimnazit Ibrahim Temo në Strugë protestuan sot para gjykatës, pas incidentit të djeshëm, ku profesori sulmoi fizikisht një nxënës me boks hekuri duke i shkaktuar lëndime të rënda në kokë. Nxënësit e shkollës kërkojnë që të mirren masa për profesorin dhe të dënohet me burgim për veprimin që ka bërë. Nxënësit thonë se raste të ngjajshme me profesorin e njëjtë kanë pasur edhe më herët, ku ai i ka kërcënuar dhe ofenduar.
“Ne e organizuam këtë protestë si parlament i nxënësve të shkollës, si një shenjë solidariteti ndaj sulmit që iu bë shokut tonë, nxënësit të shkollës, me këtë ne ngrejmë zërin tonë duke kërkuar të drejtat tona, duke kërkuar siguri në shkolla, që ne mos frikësohemi kur të vijmë këtu. Për çdo rast që ka pasur është paraqitur në polici kemi shkuar te organet përkatëse.”, tha Besarta Musa, nxënëse e shkollës “Ibrahim Temo”.
Rasti i djeshëm iu paraprij një rasti të 3 ditëve më parë, ku profesori ka sulmuar verbalisht një kolege tjetër, e cila është edhe nëna e nxënësit të sulmuar. Pasi ka ofenduar dhe kërcënuar kolegen e tij, për të është marrë vendim për suspendim, por menjëherë ka pasuar edhe ngjarja e djeshme.
“Dita e djeshme ndodhi te po i njëjti koleg ku profesori në prezenc time ofendoi kolegen, iu afrova më pas profesorit, duke i thënë profesor të lutem sot largoju nga puna, je i lirë sot prej pune, nga dyshimi se mos të ndodh diçka dhe në moment që nënshkruaja suspendimin nga u soll si vendim, vetëm nga zyra ime dëgjova të bërtiturat dhe kur zbrita poshtë, profesori veçmë ishte mbyll në kabinet dhe nxënësit ishin tubuar aty që të hyjnë dhe ta sulmojnë profesorin. Fatmirsisht me ndërhyrjen time dhe të kolegëve arritëm që të mbajmë nxënësit që të mbrojmë edhe profesorin edhe nxënësit, derisa erdhi policia dhe e mori, ndërsa nxënësi veçmë ishte dërguar në spital nga shokët e tij.”, tha Besime Jonuzi, drejtoreshë e gjimnazit “Ibrahim temo”.
Kjo nuk është hera e parë që me profesorin e gjuhës angleze i cili ka punuar për 30 vite në shkollë. Ai edhe më herët ka kërcënuar dhe ofenduar nxënësit dhe kolegët e tij, për të cilin janë marrë masa me gjoba dhe suspendim. Tani pritet që gjykata të shqyrtojë ngjarjen dhe të marrë vendimin përfundimtar për të.
ILMIJE ZHAKU
