Maqedoni
Qeveria e re, Selmani: Jetëgjatësia, diskutabile për shumë arsye
25.12.2021 16:21
Jetëgjatesia e shumicës së re qeveritare për ta perfunduar mandatin është diskutabile...

Jetëgjatesia e shumicës së re qeveritare për ta perfunduar mandatin është diskutabile si pasojë e problemeve të shtresuara nga qeveria Zaev, i cili më shum u fokusua në planin ndërkombëtarë e më pak në problemet e brendshme sikurse korrupsioni dhe krimi I organizuar, vlerëson profesori universitar Bashkim Selmani.
Sipas tij situata rëndohet edhe me presionin e VMRO-DPMNE-së për zgjedhje të parakohshme parlamentare, në periudhë të krizës energjetike dhe ekonomisë.
“E gjithë kjo qeverisë së re i le shumë detyra të trashëguara, poashtu edhe individualiteti i ri i kryeministrit të qeverisë, nuk e di sa do të ketë atë fuqinë për t’u përballur me gjitha këto sfida aktualisht. Shtojmë edhe krizën ekonomike dhe energjetike, do të shohim se të gjitha këto bëjnë një situatë shumë më të lehtë për VMRO – në e cila do të ketë hapësirë edhe me paralajmërimet e saja për dalje në rrugë”, u shpreh analisti politik Bashkim Selmani.
Selmani: Të fokusohet në sistemin e drejtësisë
Selmani thotë se për një funksionalitet të qeverisë, përbërja e re fokusin e veprimit duhet ta vë në zgjidhjen reale të problemeve të qytetarëve si dhe tejkalimin e ndasive me fqiun lindor në afatin e dhënë prej gjashtë muajve.
“Më e mira e kësaj qeverie do të ishte që të ketë një synim të përbashkët dhe të fokusohet më shumë në sistemin e drejtësisë sepse sistemi i drejtësisë është ai aktualisht që ka paralizuar dhe bllokuar gjithçka që është në interesin e qytetarëve. Pra thjesht me një strategji dhe me një partneritet dhe me qëllimin pozitiv energjia e re e kësaj qeverie shpresoj që do të ketë disponimin për të realizuar dhe çuar mandatin deri në fund”, theksoi Selmani.
Element i rëndësishëm sipas Selmani është edhe përzgjedhja e ministrave dhe konsolidimi i qeverisë. Ai shprehet skeptik për një epilog të shpejtë si pasojë e pengesave brenda LSDM-së që do ti ketë mandatari i ri.
MERAL ISMAILI
