Maqedoni
Sela: Shumica e re improvizim, nuk tërhiqem nga kreu i partisë deri në kongres
25.12.2021 17:33
Zhvillimet e fundit politike, me mandatarin e ri për Qeverinë e re dhe formimin e shumicës së re parlamentare...

Zhvillimet e fundit politike, me mandatarin e ri për Qeverinë e re dhe formimin e shumicës së re parlamentare janë vetëm improvizim, tha kreu i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela. Sipas tij megjithëse e lejon kushtetuta Kovaçevski, BDI dhe AAA nuk kanë legjitimitet për të qenë në pushtet.
“Zhvillimet politike që po ndodhin rreth krijimit të një shumice të re parlamentare është improvizim. E lejon kushtetuta që të krijohet një shumicë e re por vetëm legjitimitet nuk mund të ketë. Assesi nuk mund të shpresohet në një qeveri stabile dhe një qeveri që do të garantojë stabilitet politik”, u shpreh kryetari i ASh-së, Ziadin Sela.
Sela mohoi zërat për deponimin e dorëheqjes së tij. Ai shtoi se para kongresit të partisë, nuk dëshiron të lë partinë pa organe dhe të hyjë në lojëra të dorëheqjeve.
“Dhënja e dorëheqjes time në këtë situatë do ta linte partinë pa kreun e partisë. Zhvillime politike ka, dhe unë assesi nuk do bëja lojën e atyre që nuk i dëshirojnë të mirën Aleancës për Shqiptarët, dhe këto janë oponentët politikë. Këtë pjesë të përgjegjësisë unë jam i detyruar që ta gëlltis dhe të vazhdoj si kryetar partie deri në kongresin e ardhshëm”, theksoi Sela.
Sela nuk përgjigj saktë nëse do të rikandidojë edhe për një mandat për të parin e partisë në kongresin që sipas tij duhet të mbahet në pranverë të vitit 2022.
Aleanca për Shqiptarët sot mban kuvendin e partisë ku diskutohen raporti për zgjedhjet lokale, data e kongresit dhe formimi i komisionit për organizimin e kongresit.
NAIM RAMADANI
