Maqedoni

Iseni: Zaev do të mbahet mend si guximtar

26.12.2021 14:41

Edhe përskaj mangësive, Zoran Zaev do të mbahet mend si politikan i cili ishte guximtar...

Edhe përskaj mangësive, Zoran Zaev do të mbahet mend si politikan i cili ishte guximtar për tu prirë proceseve të ndërlikuara si kontesti me Greqinë apo Bullgarinë, vlerëson opinionisti Xhenur Iseni. Sipas tij Zaev do të kujtohet edhe si njeri që respektoi mendimin ndryshe dhe krijoi ambinet të përshtatshëm edhe për kritikuesit e tij politik. 
 
“Pa të ne nuk do të kishim hyrë në NATO dhe nuk do të kishim zgjedh asnjëherë kontestin me emrin. Domethënë më shumë do të identifikohet për guximtar. Në raport edhe me gazetarët, kryeministri kishte instaluar një standard të ri që edhe bashkëpunëtorët e tij ishin të detyruar të ndjekin, ai ishte i hapur në çdo kohë”, u shpreh opinionisti Xhenur Iseni.
 
Raporti me shqiptarët, Iseni: Në kohën e Zaevit shqiptarët përfituan 
 
Iseni vlerëson se në kohën e kryeministrit Zaev, edhe shqiptarët arritën të marrin më shumë pozitta dhe të drejta. Gjithashtu edhe konfliktet ndëretnike që ishin të shpeshta para kësaj qeveria, me ardhjen e Zaevit në krye të ekzekutivit u asgjësuan. 
 
“Në raport me shqiptarët ai është treguar koxha dorëdhënës. Këtu kam fjalën që shumë pozita shqiptarët fituan në qeverisjen e tij, si kryeparlamentarin apo ligjin për përdorimin e gjuhëve”, theksoi Iseni.
 
Iseni: Zaev dështoi në fushën e drejtësisë
 
Erdhi me moton “Pa drejtësi, ska qetësi”, por dështoi pikërisht në fushën e drejtësisë. Rastet për të cilat u zotua nuk morrën epilog, kurse edhe më shumë u shoqërua me skandale, si rasti “Zhvatja”.
 
“Ai dështoi në një tjetër element ku kishte bërë edhe premtime më të mëdha në fushën e drejtësisë. Ai ka dështuar totalisht sepse shumë raste gjatë qeverisjes së tij nuk kanë marrë epilog, përkundrazi me disa vendime gjyqsore është shtuar edhe më shumë mosbesimi i qytetarëve në institucionet vendore gjyqsore”, u shpreh Iseni.
 
Zoran Zaev dha dorëheqje nga posti i kryeministrit dhe kryetarit të LSDM-së. Shkas për këtë dorëheqje ishin rezultatet e dobëta në zgjedhje lokale. Vendin e tij në parti e zuri Dimitar Kovaçevski, i cili pritet të jetë edhe kryeministri i ri i vendit. 
 
ERSAN PAJAZITI