Maqedoni

Gashi: Nuk luajmë kumar me integrimin

26.12.2021 16:20

Kreu Alternativës Afrim Gashi, në një intervistë për Kosovapress ka deklaruar se partia e tij është parë si çelës për zgjidhjen e krizës politike...

Kreu Alternativës Afrim Gashi, në një intervistë për Kosovapress ka deklaruar se partia e tij është parë si çelës për zgjidhjen e krizës politike e cila do të sillte pasoja të tjera në zgjidhjen e ngërçit me Bullgarinë që po pengon anëtarësimin në BE, për problemet me energjinë dhe pandeminë.
 
Ai tha se kanë vendosur të jenë pjesë e Qeverisë pasi nuk kanë dashur të luajnë kumar me integrimin e vendit në Bashkimin Evropian.   
 
“Kemi një shumicë të re me 64 deputetë dhe shteti po sheh drejt vitit 2022 në tentativat që t’i zgjidh këto krizat energjetike e shëndetësore por ajo që është shumë e rëndësishme është që jemi shumë afër hapjes se negociatave me BE-në, janari, shkurti apo fillimi i marsit janë muajt që vërtetë janë shumë vendimtarë për ne, çelja e negociatave për ne do të ishte një lajm brilant”, u shpreh kryetari i Alternativës, Afrim Gashi. 
 
Gashi: Me BDI-në na lidh interesi për shqiptarët
 
Për pjesmarrjen në qeveri negociatat i ka zhvilluar kryesisht  me LSDM-në por se takime  se ka realizuar edhe me kreun e BDI-së Ali Ahmeti. Me BDI-në jemi dy subjekte në oponencë por sipas tij interesat e shqiptarëve janë të përbashkëta theksoi Gashi.
 
“Ne jemi dy subjekte në oponencë me njëra-tjetrën, por ka shumë punë të shqiptarëve qe kanë interesa te përbashkëta. Andaj tentativa ime është që të mos kemi betejë te brendshme dhe të bllokojmë njëra-tjetrën sepse në fund të fundit do t’ia pamundësojmë funksionimin edhe njëra-tjetrës dhe kjo shkon në llogari të qytetarit. Ne duam t’i shërbejmë qytetarit, shqiptarëve, dhe duam të kemi raporte korrekte me të gjitha subjektet, jo vetëm me ata në pozitë por edhe me partitë shqiptare në opozitë”, theksoi Gashi.
 
Në kabinetin e ri qeveritar, Alternativa do të drejtojë Ministrinë e Shëndetësisë dhe atë të Shoqërisë Informatike dhe Administratës.
 
NAIM RAMADANI