Botë

Polonia/Bjellorusia, mbi 11000 migrantë kanë hyrë Gjermani

28.12.2021 12:16

Më shumë se 11,000 migrantë ilegalë kanë hyrë në Gjermani këtë vit - përmes Polonisë - nga Bjellorusia, ka thënë policia gjermane më 27 dhjetor....

Më shumë se 11,000 migrantë ilegalë kanë hyrë në Gjermani këtë vit - përmes Polonisë - nga Bjellorusia, ka thënë policia gjermane më 27 dhjetor.

Bashkimi Evropian akuzon liderin autoritar të Bjellorusisë, Alyaksandr Lukashenka, se është duke marrë migrantët nga Lindja e Mesme dhe është duke i shtyrë drejt kufijve me Poloninë dhe Letoninë e Lituaninë, në kuadër të një “sulmi hibrid" që shihet si hakmarrje ndaj sanksioneve të Perëndimit.

Shumica e migrantëve ilegalë synojnë të arrijnë në Gjermani, vend i cili ka rritur kontrollet kufitare me Poloninë në muajt e fundit. Policia federale e Gjermanisë ka thënë përmes një deklarate se ka regjistruar 11,162 hyrje ilegale “të lidhura me Bjellorusinë” këtë vit, kryesisht në periudhën gusht-nëntor. Policia ka thënë se aktualisht është duke rënë trendi i kalimeve ilegale të kufijve, pasi në dhjetor janë regjistruar 470 raste në krahasim me mbi 8,000 në tetor dhe nëntor.