Maqedoni

Raporti i Kuvendit: Në vitin 2021 kuvendi ka miratuar 209 ligje

28.12.2021 13:19

Kuvendi mbyll vitin 2021 me një bilanc prej gjithsej 59 seanca plenare në të cilat janë miratuar 209 ligje.....

Kuvendi mbyll vitin 2021 me një bilanc prej gjithsej 59 seanca plenare në të cilat janë miratuar 209 ligje. Kreu i Kuvendit,Talat Xhaferi, konsideron se dhoma ligjvënëse ka kryer me sukses detyrimet kushtetuese dhe të Rregullores, përkundër kushteve kufizuese për shkak të pandemisë. 
 
“Mund të konkludoj se përpiqeshim që dialogu politik, kryqëzimi i argumenteve dhe beteja për ndryshimin dhe përmirësimin e dispozitave ligjore për lehtësimin e  jetës së qytetarëve tanë të zhvillohet këtu, në suazat e dhomës së demokracisë dhe kjo mund të shihej përmes kanalit televiziv të Kuvendit dhe me ndjekjen e seancave përmes strimingut. Nuk them se kjo ishte maksimalja që mund të bënim përkundrazi gjithmonë mundet më shumë.”,- tha  kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.
 
Xhaferi: Qeveria e re do të votohet më 16 janar
 
Xhaferi ripërsëriti qëndrimin se nuk do t’i përgjigjet pozitivisht kërkesës së grupit parlamentar të VMRO DPMNE-së që të enjten e fundit të dhjetorit të thërrasë seancë të re për pyetje deputetësh, pasi Kuvendi ka konstatuar dorëheqjen e Qeverisë. Pret që mandatari i ri t’ia dorëzojë Kuvendit Programin dhe përbërjen e Qeverisë së re më 11 janar.
 
“Përafërsisht, atë që unë ndjek kalendaret, pritshmëritë janë që më 15-16 janar, edhe pse është e shtunë dhe e diel, kjo nuk është pengesë për konvokim të seancave, eventualisht më 16 janar të votohet për qeverinë e re dhe nga 17 janari dita e hënë të jenë në detyrë ministrat e rinj, përbërja e re qeveritare.”,- theksoi Xhaferi.
 
Sipas Raportit vjetor për punën e Kuvendit rezulton se është Qeveria ajo e cila propozon pjesën dërmuese të projekt/ligjeve në Kuvend. Nga gjithsej 209 ligje të miratuara, 188 i ka parashtruar Qeveria ndërkaq, vetëm 21 projekt-ligje janë parashtruar nga deputetë. 
 
SHPËTIM NUREDINI