Maqedoni

Viti 2021, i skandaleve, Sela: Zgjidhja, zgjedhje të parakohshme

28.12.2021 14:26

Aleanca për Shqiptarët është për zgjedhje të parakohshme parlamentare, pasi qeverinë me mandatarin e ri e konsideron si të delegjitimuar.....

Aleanca për Shqiptarët është për zgjedhje të parakohshme parlamentare, pasi qeverinë me mandatarin e ri e konsideron si të delegjitimuar. Kryetari i partisë, Ziadin Sela, tha se tre aktorët në qeveri nisur nga Dimitar Kovaçevski nuk gëzon legjitimitet të popullit për të drejtuar ekzekutivin, sikurse BDI që nuk mbajti premtimin për kryeministrin shqiptar ashtu edhe Alternativa të cilët morën votat për të çuar BDI-në në opozitë e jo për ta mbajtur në pushtet.
 
Sela tha se ASH duke u nisur nga leksioni që mori me Alternativën, nuk planifikon që të koalicionojë me Besën në zgjedhjet eventuale të parakohshme parlamentare.
 
“Sa do të jemi të besueshëm ne në momentin që bëjmë një koalicion tjetër dhe njerëzit nuk do të na shohin me skepticizëm, prit se ku ta di nesër nuk do të lëvizin prapë deputetët. Një është e sigurt koalicion me qytetarët ka, për të tjerat do të informoheni në momentin se si do ta vlerësojmë se si do të sillemi politikisht.”,- deklaroi kryetari i ASh-së Ziadin Sela.
 
8 mijë nënshtetësi të bllokuara
 
Sela në takimin e fundvitit me gazetarë e cilësoi vitin që po e lëmë pas si një vit të skandaleve dhe premtimeve boshe përfshi këtu edhe eurointegrimet. Zhgënjim shprehu për funksionimin e shëndetësisë, drejtësisë, mos ndëshkim të pushtetit, luftë të dështuar ndaj korrupsionit duke rritur mosbesimin e qytetarëve dhe ikjen e tyre nga vendi. Sela shpalosi edhe pengesat me mosdhënien e nënshtetësive edhe përkundër ligjit të miratuar.
 
“Informacionet e mia sot flasin që janë tetë mijë shtetësi të bllokuara përsëri nga momenti që ne e kemi sjell ligjin për shtetësi dhe që presin zyrave të ministrisë së punëve të brendshme dhe po bllokohen. Ne do të angazhojmë avokat dhe do t’iu dalim në ndihmë qytetarëve.”,- u shpreh kryetari i ASh-së, Ziadin Sela.
 
Pas mbështetjes së Danella Arsovskës në lokalet, Sela tha se do të ngrenë ndikimin e shqiptarëve në qytetin e Shkupit. Transporti I shpejtë do të zgjatet deri në Saraj, ndërkaq kuadri I ASH-së do të menaxhoj dy drejtori,tre zëvendës drejtori të ndërmarrjeve publike si dhe pesë shkolla të mesme.


MERAL ISMAILI