Maqedoni

IShP: Rritet numri i të shëruarve nga virusi Korona në vend

28.12.2021 15:03

ISHP njofton se gjatë periudhës 20-26 dhjetor gjithsej janë regjistruar 1.922 raste të reja pozitive nga 33 qytete të vendit...

ISHP njofton se gjatë periudhës 20-26 dhjetor gjithsej janë regjistruar 1.922 raste të reja pozitive nga 33 qytete të vendit, që nënkupton se numri i rasteve me Covid-19 ka shënuar rënie.
 
Mjekët: Numri ka rënë por mund të rritet
 
Këtë e konfirmojnë edhe mjekët, të cilët thonë se gjatë kësaj jave shifrat kanë rënë dukshëm, por numri mund të rritet në periudhën që vjen për shkak të festave të fundvitit dhe kthimit të mërgimtarëve në vend.
 
“Ka rënë fluksi mjaft. Tani ka më pak pacientë që drejtohen këtu për ndihmë. Aktualisht te unë nuk ka asnjë, sepse gjithmonë kam pasur shumë pacient me Covid-19. Kemi pasur nga të gjitha moshat, edhe te fëmijët edhe te të rriturit, por më të moshuarit komplikimet janë më të mëdha, hospitalizohen. Pritet të rritet numri me ardhjen e mërgimtarëve. Nëse ka lëvizje të pakufizuar dhe nuk i përmbahen masave, numri do të rritet. Uroj mos të rritet, por gjasat janë të mëdha.”,- tha mjeku, Sedat Lumani.
 
Përqindja e pozitiviteti varion nga 5.1% në 9.4%, mesatarisht 7.7%. Shumica e rasteve të regjistruara janë nga Shkupi. Incidenca më e lartë javore është regjistruar në Resnjë. Gjatë periudhës 20-26 dhjetor janë raportuar 42 vdekje në 16 qytete të vendit që është një rënie prej 48.8% krahasuar me javën e kaluar. Shumica prej tyre janë nga Shkupi. Për sa i përket moshës, shumica  e të vdekurve i përkasin grupmoshës mbi 60 vjeç. Janë shëruar 1.950 persona, ndërsa gjatë javës së kaluar janë raportuar gjithsej 43 riinfeksione, me një rritje prej 19.4% në krahasuar me javën e kaluar, njoftojnë nga ISHP.


FARIJE DAUTI BAKIJU