LSDM plotëson organet drejtuese
Dimitar Kovaçevski ka përzgjedhur ekipin....

Dimitar Kovaçevski ka përzgjedhur ekipin me të cilin do ta drejtojë LSDM-në në mandatin e tij si lider partie. Sanja Lukarevska, Bisera Konstandinova-Stojçeska, Pero Konstandinov dhe Stefan Bogoev janë nënkryetarët e rinj të LSDM-së, ndërsa Fatmir Bytyqi mbetet edhe për një mandat.
Sekretari i ri i përgjithshëm i partisë është emëruar Mile Zeçeviç, ndërsa sekretar për politikë ndërkombëtare Bojan Mariçiç.
Andrej Petrov dhe Igor Ivanovski i rikthehen politikës. Ky i fundit do të drejtojë Këshillin partiak për krijimin dhe zbatimin e politikave.
Të mërkurën pritet që presidenti i vendit Stevo Pendarovski t’ia besojë Kovaçevskit mandatin për formimin e qeverisë së re.
Qeveria e re do të përballet me sfida në menaxhimin e krizës energjetike, integrimin evropian, pandeminë dhe negociatat me Bullgarinë, thotë Kovaçevski.
“Qeveria e re do t'i kushtojë vëmendje ekonomisë, zbatimit efikas të programit dhe investimeve kapitale. Jemi të fokusuar në arritjen e dyfish më të lartë të rritjes ekonomike dhe rritjen e pagave. Puna e punëtorëve duhet vlerësuar. Mbështetja financiare për të gjithë qytetarët dhe kompanitë do të vazhdojë dhe do të rritet. Ashtu siç do të hartohen masat për ndërhyrje në lidhje me krizën energjetike, kujdesin shëndetësor dhe ndihmë në kushte pandemie ashtu do të formulohet mbështetja financiare e forcuar.”,- tha kryetari i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski.
VMRO: Asgjë e re nuk ka ndodhur në LSDM
Për VMRO-DPMNE-në, LSDM me përbërjen e re asgjë nuk ndryshon. Sipas tyre ata nuk janë njerëz të rinj por dorë e zgjatur e Zaevit.
“Kovaçevski është dorë e zgjatur e Zaevizmit. Dimitar Kovaçevski është njeriu që i përkulet Zaevit dhe e mbindërton zaevizmin. Si zëvendësministër, ai merr pjesë aktive në rritjen e borxhit historikisht më të lartë në vend, i cili kontribuon aktivisht në inflacionin dhe rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Njeri që gënjeu se ishte i diplomuar në Harvard ku ka kryer një kurs të thjeshtë dhe që doktoroi në kurriz të shtetit.”,- theksoi Dragan Kovaçki nga VMRO-DPMNE.
Vlerësimet e VMRO-DPMNE-së sipas LSDM-së janë të nivelit të ulët në kulturën politike. Sipas tyre derisa LSDM po vazhdon të demokratizohet të krijojë e përkrahë kuadro të reja VMRO-DPMNE-së po dëshmon se nuk ka ndërmend të ndryshojë. (Naim Ramadani, TVM2)
