Maqedoni
Anti-korrupsioni, dyshime për larje parash
28.12.2021 17:29
Gjatë kontrollit të gjendjes pronësore të ish ministres së kulturës, Elizabeta Kançeska Milevska...

Gjatë kontrollit të gjendjes pronësore të ish ministres së kulturës, Elizabeta Kançeska Milevska, Komisioni për Anti-korrupsion ka detektuar mjetë të paparaqitura në llogarinë e bashkëshortit të saj në vlerë prej mbi 1 milion denarë, si fitim nga lojërat e fatit. Pasi që ajo ka reaguar se, as ajo e as ndonjë anëtar tjetër i familjes nuk merret me lojëra të fatit, nga Anti-korrupsioni dyshojnë për larje parash nga bastore dhe rastin e kanë paraqitur në policinë financiare.
Ajo nuk ka paraqitur as disa ndryshime të tjera pronësore. Sipas tyre, ka edhe raste tjera që janë paraqitur kur janë vjedhur të dhënat personale dhe pagesat janë bërë edhe në emra tjerë. Në këtë rast bëhet fjalë për krim të organizuar dhe në këto raste duhet të veprohet.
“Në mënyrë plotësuese morëm informacionin nga policia financiare se ata vetëm se kanë vepruar për këtë çështje, janë plotësuar dokumentacionet të cilat në mënyrë plotësuese do t’i plotësojmë dhe bashkojmë me ato që kemi dhe do të dorëzohen në Prokurorinë Publike për veprim të mëtutjeshëm.”,- tha anëtari i Komisionit për Anti-korrupsion, Shemsi Sallai.
Anti-korrupsioni do të kontrollojë pronësinë e gjykatësve, prokurorëve e drejtorëve
Sipas perceptimit të qytetarëve, menjëherë pas gjyqësorit korrupsioni është prezent në shëndetësi gjatë dhënies së shërbimeve mjekësore si dhe në furnizimet publike me vlera të larta si pajisje mjekësore, barna etj.
Kjo është arsyeja se pse gjatë viti 2022 do të bëjnë kontrolle të përforcuara në deklarimet e dhëna për gjendjet pronësore të bartësve të funksioneve. Do të kontrollohen edhe fusha të tjera për të cilat Anti-korrupsioni sheh rrezik për keqpërdorime.
“10 gjykatës, 10 prokurorë, 10 drejtorë të institucioneve publike shëndetësore, 4 persona udhëheqës të inspektorateve ato janë Inspektorati Shtetëror i Transportit, Inspektorati për Ndërtimtari dhe Urbanizëm, Inspektorati i Ambientit Jetësor, Inspektorati i Bujqësisë, kryetarët e këshillave komunal 10 dhe 10 drejtorë të ndërmarrjeve publike.”,- u shpreh kryetarja e Komisionit për Anti-korrupsion, Biljana Ivanova.
Anti-korrupsioni ka vepruar për lëndë për kontrollin e gjendjes pronësore të ish ministrave, zëvendësministra, deputetë, persona të ndryshëm zyrtarë, kryetarë të bordeve drejtuese dhe gjykatës.
FLORIJE BELULI KAMBERI
