Maqedoni

Kontesti me Sofjen dhe bisedimet qasëse, Osmani: Çështje thelbësore edhe në vitin 2022

29.12.2021 14:04

Kontesti me Bullgarinë dhe përpjekjet për fillimin e bisedimeve qasëse në Bashkimin Evropian...

Kontesti me Bullgarinë dhe përpjekjet për fillimin e bisedimeve qasëse në Bashkimin Evropian kanë qenë dy çështjet thelbësore ku është fokusuar Ministria e Jashtme gjatë këtij viti. Sipas të gjitha gjasave, këto dy çështje do të mbeten sfidat kryesore edhe gjatë 2022-shit, thotë shefi i diplomacisë, Bujar Osmani. Pret që formimi i qeverive të reja politike në vendet përkatëse procesi të merr një dinamikë të re që në janar.
 
“Mendoj se kjo çështje do të mbetet si një nga çështjet thelbësore edhe në vitin tjetër dhe do të fokusohemi në të, me qëllim që të tejkalojmë dallimet dhe të fillojmë bisedimet. Kuptohet se Ministria ka edhe prioritete të tjera, ne jemi anëtare e NATO-s dhe duhet të jemi të angazhuar edhe atje me pozitat tona. Mos harrojmë se nga 1 janari ne futemi në trojkën e kryesuesve të OSBE-së dhe që aty fillojnë detyrimet tona si kryesues gjatë vitit 2023.”,- tha ministri i jashtëm, Bujar Osmani.
 
Afatet për gjetjen e zgjidhjes për kontestin dypalësh dhe fillimi i bisedimeve mbeten të paparashikueshëm. Megjithatë, ministri i jashtëm konsideron se, imponimi i historisë si kriter për anëtarësim është i papranueshëm edhe për vetë vendet e Unionit dhe se vendi ka plotësuar të gjitha kushtet për fillimin e bisedimeve qasëse.
 
“Mendoj se e kemi merituar që të fillojmë negociatat. Kërkojmë diçka që na takon dhe është e merituar dhe konsideroj se nuk duhet lënë hapësirë që kjo çështje ngadalë të hyjë në konflikt të ngrirë.”,- u shpreh ministri i jashtëm, Bujar Osmani.
 
Në brifingun me gazetarë, Osmani zbuloi se në dhjetor të 2020, ministrja e Punëve të Jashtme e Bullgarisë, Ekaterina Zakharieva, i ka dhënë propozim – marrëveshje për zgjidhjen e kontestit mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, ku kërkohej që të nënshkruajnë se gjuha maqedonase buron nga bullgarishtja, ndërsa kombi maqedonas nga përpjekja për çlirim nga Perandoria Osmane. Mirëpo këto dy nene ishin kontestuese, tha Osmani.
 
SHPËTIM NUREDINI