Maqedoni
Ulet alarmi i ndotjes në Shkup, nga e enjtja, transporti publik prapë me pagesë
29.12.2021 14:23
Nga e enjtja do të shfuqizohet masa për udhëtim pa pagesë në autobuzët e transportit urbanë në Shkup....

Nga e enjtja do të shfuqizohet masa për udhëtim pa pagesë në autobuzët e transportit urbanë në Shkup. Në stacionet matëse është regjistruar ndotje nën 100 mikrogramë për metër kub. Sipas të dhënave, episodi i ndotjes së lartë për dy ditë radhazi, është ndërprerë në komunat Qendër, Gazi Baba, Lisiçe dhe te Rektorati në Shkup si dhe në e Strumicë.
Arsovska: Institucionet të zbatojnë masat
Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska vlerëson se masat e deritanishme kanë dhënë rezultat. Por, sipas saj, që të arrihen efektet e dëshiruara , duhet punuar fort nga të gjitha institucionet.
"Ne rekomandimet tona i dhamë, rekomandimet tona bazohen në planin e përpiluar paraprakisht, por për një pjesë të tyre ka obligime edhe pushteti qëndror. Ne nuk mund të pengojmë hyrjen e veturave, përkatësisht t’i ri-orjentojmë ato. Ne nuk mund të kryejmë një numër të madh punësh që janë pjesë e rekomandimeve, pasi janë pjesë e obligimeve të pushtetit qëndror. Pushteti qendror duhet që më në fund të marrë përgjegjësinë e tij”, tha Arsovka në brifingun me gazetarët.
Paralajmëroi se në këtë periudhë inspektorët komunalë, do t’i rrisin inspektimet në teren, përfshi kontrollet e jashtëzakonshme të kapaciteteve industriale.
Ambientalistët: Masa më intensive kundër ndotjes së ajrit në Shkup
Por ambientalistët kërkojnë masa konkrete në vend të akuzave politike.
“Lista aktuale e masave afatshkurtra, është miratuar në nëntor të vitit 2017 dhe është përdorur për katër vjet, por deri tani ka treguar se ka efekt shumë të kufizuar. Kjo do të thotë se duhet të rishikohet dhe të vendosen masa të reja më të rrepta afatshkurtra, në kushtet kur ajri është jashtëzakonisht i ndotur.”, thonë nga Eko-vetëdija.
"Nuk ka asnjë lidhje mes numrit të automjeteve që qarkullojë në Shkup dhe përqendrimeve të grimcave PM 10 në ajër.", thonë nga nisma “Qyteti i Gjelbërt Human”.
Dy ditët e para të javës, në Shkup dhe në disa qytete të vendit u regjistruan përqendrime të larta të grimcave PM10 dhe sipas faqes IQ AIR, kryeqendra u radhit në top 10 qytetet më të ndotura në botë.
GYLTENE SINANI
