Maqedoni
Qeveria e re, Pendarovski ia besoi mandatin Kovaçevskit
29.12.2021 14:54
Presidenti Pendarovski ia dha mandatin për formimin e qeverisë, kryetarit të ri të LSDM-së, Dimitar Kovaçevski....

Presidenti Pendarovski ia dha mandatin për formimin e qeverisë, kryetarit të ri të LSDM-së, Dimitar Kovaçevski.
“Në bazë të nenit 84, paragrafi 1, alineja 1 e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe njoftimit për propozimin për kryeministër të dorëzuar nga LSDM dhe të përkrahur nga partitë politike në koalicion të cilat së bashku kanë shumicën e përcaktuar me Kushtetutë emëroj Dimitar Kovaçevskin kryetar i LSDM-së, mandatar për të formuar qeverinë.”,- tha presidenti i RMV-së, Stevo Pendarovski.
Fillojnë tani të rrjedhin afatet prej 20 ditësh që mandatari, Dimitar Kovaçevski, të paraqesë përbërjen e re qeveritare së bashku me programin para deputetëve në Kuvend. Menjëherë pasi pranoi mandatin nga presidenti Pendarovski, mandatari Kovaçevski u zotua që do të angazhohet që të kthejë besimin e qytetarëve në institucionet e vendit. Ai shtoi se Qeverinë e re e presin shumë sfida, megjithatë u shpreh optimist se do të bëjë përpjekje të mëdha.
“Nga sot filloj të formoj një ekip të ri njerëzish që duhet t'u përgjigjen sfidave serioze që na presin nga fillimi i vitit të ardhshëm. Ne jetojmë në kohë të trazuara, kohë krize dhe pasiguri. Këto kohë kërkojnë njerëz të guximshëm dhe të përkushtuar, të cilët do të marrin përgjegjësinë për të tejkalimin e pengesave. Angazhimi im personal është të kthej besimin e qytetarëve në politikë dhe institucione. Çdo minuta nga koha jonë do tua përkushtojmë problemeve me të cilat përballen qytetarët, probleme për të cilat çdo ditë flasin, a ato janë pasiguria ekonomike dhe standardi jetësorë. Qytetarët kërkojnë prosperitet, ne duhet të dëshmojmë se këtë mund ta arrijmë.”,- u shpreh mandatari për formimin e Qeverisë, Dimitar Kovaçevski.
Kovaçevski gjithashtu tha se vendi nuk ka nevojë për përçarje politike pasi që qytetarët kërkojnë besim dhe prosperitet. Ai ditë më parë deklaroi se nuk të shfrytëzojë gjithë afatin ligjor prej 20 ditësh për ta kompletuar kabinetin e qeverisë së re dhe deri më 10 apo 11 janar do të dorëzojë në Kuvend propozim- përbërjen e qeverisë së re.
NAIM RAMADANI
