Maqedoni

Mandatari i ri, Micovski: S’ka legjitimitet, dorë e zgjatur e Zaevit

29.12.2021 15:18

Vazhdim i shtetit të robëruar dhe regjimit hibrid. Kështu e ka cilësuar kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski....

Vazhdim i shtetit të robëruar dhe regjimit hibrid. Kështu e ka cilësuar kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski, mandatarin e ri. Sipas tij, dhënia e mandatit nga ana e presidentit Pendarovski dëshmon se edhe presidenti është pjesë e këtij regjimi, pasi Kovaçevski nuk ka legjitimitetin e duhur dhe kredibilitetin për të udhëhequr me ekzekutivin. Mickovski vlerëson se Kovaçevski është dora e zgjatur e Zoran Zaevit. 
 
“VMRO-DPMNE është parti politike me numrin më të madh të grupit parlamentar për momentin. VMRO-DPMNE është parti me numrin më të madh të kryetarëve të komunave, me numër më të madh të këshilltarëve komunal. Por, ja Pendarovski vazhdon të jetë pjesë e regjimit hibrid dhe nga shteti i robëruar vendos t’i japë mandat një personi i cili as nuk ka marrë pjesë në zgjedhje, as nuk ka kërkuar besimin, as nuk ka kurrfarë kredibiliteti nga populli. Nëse më pyetni se a pres ndonjë kthesë të madhe, përgjigja ime është jo, nuk pres. Përkundrazi, pres që të vazhdojë zaevizmi i cili ishte i mundur ashpërsisht në zgjedhjet lokale.”,- deklaroi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Micovski.
 
Qeveria e re, Kasami: Pa Legjitimitet, zgjedhje të shpejta
 
Edhe kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, vlerëson se kjo qeveri ka humbur legjitimitetin dhe se duhet të shkohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare. 
 
“Qeveria e ka humbur legjitimitetin dhe këtë e ka thënë vetë ish-kryeministri për shkak të vendimeve të koalicionit qeverisës. Ne nuk mund të lejonim presionin e vazhdueshëm në Qeveri dhe prandaj vendosëm ta lëmë atë. Ata nuk e pranuan mesazhin tonë dhe vazhduan me masa jodemokratike për të qëndruar në pushtet. Situata me deputetin ishte një dëshmi shtesë se nuk kemi çfarë të kërkojmë në këtë koalicion qeveritar. Nuk e di nëse ka ndodhur diku që kur një deputet të ketë firmosur për të tërhequr këtë Qeveri për mosbesim, të mos jetë në dispozicion për 24 orë.”,- u shpreh kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami.
 
Kasami tha se situata me ish-deputetin e tyre tregon qartë se nëse kjo mund të ndodhë me një deputet që ka imunitet, imagjinoni se çfarë mund të ndodhë me secilin prej nesh qytetarëve të thjeshtë


ERSAN PAJAZITI