Maqedoni
Organizimi i festës për vitin e ri 2020, Anti-korrupsion: Ishte në kundërshtim me ligjin
29.12.2021 15:29
Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit ka konstatuar se në organizimin e festimit të vitit të ri 2020 në qendër të Shkupit...

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit ka konstatuar se në organizimin e festimit të vitit të ri 2020 në qendër të Shkupit, është vepruar në kundërshtim me Ligjin për furnizime publike. Anti-korrupsioni dyshon se Qendra Kulturore për të Rinj nuk ka realizuar procedurë për furnizim publik, por ka publikuar vetëm shpallje publike për organizimin e festës për natën e Vitit të Ri. Festa e organizuar ka kushtuar rreth 240 mijë euro, prej të cilave 154 mijë euro janë paguar nga buxheti i qytetit.
Për dyshimet dhe gjendjen e konstatuar nga dokumentacioni i grumbulluar, Anti-korrupsioni do të dorëzojë iniciativë për ndjekje penale pranë Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, si dhe iniciativën për hapjen e procedurës për përgjegjësi të personit kompetent deri tek institucioni që e ka zgjedhur, gjegjësisht Qyteti i Shkupit.
“Edhe pse në shpjegimin e tyre QKPR thirret në përjashtimet e Ligjit për furnizime publike, ajo nuk ka të bëjë me furnizimin e pajisjeve teknike të nevojshme për produksionin e programit dhe për këtë është dashur të ketë procedurë të rregullt në pajtueshmëri me Ligjin. Honorari prej rreth 84 mijë euro për performancën e këngëtarit Dino Merlin është siguruar nga sponsorë privatë dhe jo nga buxheti i qytetit dhe kjo nuk hy në shumën e paguar për organizimin e festimit për pritjen e vitit të ri.”,- deklaroi anëtari i Komisionit për Anti-korrupsion, Goran Trpenovski.
Duke pasur parasysh të pathënat në furnizimet publike, nga Anti-korrupsion u rekomandojnë të gjitha institucioneve shtetërore blerjen e pajisjeve të tilla që do të rrisin kapacitetin e institucioneve publike dhe aftësinë për të organizuar këto ngjarje dhe kështu në afat të gjatë ata do të kursenin para në vend që të paguanin për marrjen me qira të pajisjeve.
FLORIJE BELULI KAMBERI
