Maqedoni

Kriza energjetike, Bytyqi: Po marrim të gjitha masat e duhura

29.12.2021 16:17

Zëvendëskryeministri, Fatmir Bytyqi, thotë se qeveria po monitoron situatën me krizën energjetike...

Zëvendëskryeministri, Fatmir Bytyqi, thotë se qeveria po monitoron situatën me krizën energjetike dhe janë në komunikim të përditshëm me odat ekonomike.
 
“Ne si Qeveri po marrim të gjitha masat, e kjo është që të sigurojmë energji elektrike të mjaftueshme për amvisëritë dhe konsumatorët e vegjël. Të mos harrojmë se konsumatorët e vegjël janë konsumatorë që vijnë nga ekonomia. Ekonomia jonë është e strukturuar në atë mënyrë që 97.8 për qind janë ndërmarrje mikro dhe të vogla. Ata tashmë janë pajisur me energji elektrike të besueshme në gjashtë muajt e ardhshëm të vitit 2022 dhe prandaj publiku duhet të informohet mirë. Kjo do të thotë se shteti ofron një çmim për konsumatorët e vegjël me një tarifë preferenciale jashtë çmimeve të bursës.”,- tha zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi.
 
Bytyqi: Kontroll kontratave të energjisë elektrike
 
Thotë ndërkohë se shteti nuk mund të ndërhyjë në marrëdhëniet mes kompanive dhe furnizuesve të tyre me energji elektrike, të cilët për shkak të zhvillimeve në tregun e energjisë filluan t'u anulojnë kontratat dhe t'u kërkojnë paradhënie prej 500 euro për megavat orë. 
 
“Shteti nuk mund të ndërhyjë në zgjidhjen e kontratave, sepse kontratat bëhen në tregun e liberalizuar të energjisë, ku të gjithë hyjnë në detyrime reciproke. Nuk mund të hyjmë, por sigurisht që tashmë jemi duke diskutuar me KRRE-në nëse arsyet për ndërprerje janë të përshtatshme sipas Ligjit për Detyrimet dhe Ligjit për Energjinë. Nëse shohim se ka shkelje të atyre dispozitave, sigurisht që Qeveria do të ndërhyjë.”,- theksoi Zëvendëskryeministri Për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi.
 
I pyetur për njoftimet për rritjen e çmimit të gazit, ai tha se situata po monitorohet dhe se sot apo nesër duhet të dihet se me çfarë çmimi ofrohet sasia e kërkuar e gazit për vendin tonë.
 
SEDAT SELIMI