Maqedoni

Kasami: Funksionojmë me xhirollogari të bllokuara

29.12.2021 17:39

Komuna e Tetovës vazhdon të funksionojë me xhirollogari të bllokuar, shkaku i borxhit të akumuluar prej 24 milion eurove...

Përveç borxheve problem tjetër, sipas Kasamit, është edhe administrata e stërngarkuar, me qindra punonjës që nuk kanë ardhur dhe nuk vijnë në punë, dhe të njëjtët kanë marrë rroga.
 
Kasami më tej shtoi se situata kaotike për shkak borxheve vazhdon edhe sot në ndërmarrjet publike, NPK dhe Parkingjet e Qytetit, si dhe në Ndërmarrjen për Transport, e cila, sipas Kasamit, ka funksionuar e gjitha jashtë kornizave ligjore.
 
“Pjesa më problematike e këtij borxhi ka të bëjë me strukturën e borxhit, nga 24 milion borxh, 7 janë në përmbarues dhe për momentin komuna nuk disponon me llogarinë e saj dhe gjitha të hyrat nuk i realizojmë dot me obligimet po me vendimet për përmbarim. Nga këto 7 milion 2 milion janë kamata. Po aq problematike janë edhe projektet e realizuara, një pjesë e tyre janë skandaloze që më shumë dëmtojnë qytetarët, sepse shumica e projekteve janë realizuar pa standardet e kërkuara dhe kjo do kërkojë një kohë për të bërë rivlerësimin dhe revidimin e tyre.”,- deklaroi kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
 
Legalizimet e ndërtimeve pa leje, 3000 lëndë të paprocesuuara
 
Problematike është edhe çështja me legalizimet dhe mungesa e planit urbanistik.
 
“Ne kemi lëndë të hapur me vendim të prokurorisë në policinë financiare që kanë marrë dokumente dhe lëndë nga komuna që kanë të bëjnë me legalizimet por sigurisht që prokuroria do përcaktoj përgjegjësinë e atyre që kanë bë keqpërdorime. Dhjetë vite pas miratimit të ligjit për legalizim ne se kemi përmbyllur këtë proces, kemi më shumë se 3000 lëndë të pa realizuara të pa procesuura.”,- tha kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
 
Kasami këto komente i bëri gjatë takimit të fundvitit me gazetarët.
 
VISAR SADIKI