Maqedoni

Sociologjia për shkollat e mesme, Aliu: Ka përmbajtje diskriminuese, nuk e tërheqin

29.12.2021 18:28

Përmbajtje diskriminuese, ofenduese dhe teori që janë hedhur poshtë për varfërinë ende figurojnë në librin e sociologjisë...

Përmbajtje diskriminuese, ofenduese dhe teori që janë hedhur poshtë për varfërinë ende figurojnë në librin e sociologjisë në arsimin e mesëm. Edhe përkundër qëndrimeve kontradiktore, i njëjti nuk është tërhequr, potencon  profesori i sociologjisë, Liman Aliu, i cili për TVM2 thekson se pjesa më kontestuese e këtij libri është kapitulli ku sqarohet për natalitetin e grupeve etnike. 
 
“Përmendet se te grupet etnike të romëve, shqiptarëve dhe turqve kemi lindshmëri shumë të madhe të pakontrolluar, këto grupe lindin shumë fëmijë për shkak se janë jo shumë të arsimuar dhe për ta kontrolluar këtë fenomen duhet të kemi lindje të kontrolluara. Në ndërkohë flitet se grupet tjera që kanë natalitet të ulët të subvencionohen që të lindin fëmijë më shumë.”,- tha profesori i sociologjisë, Liman Aliu.
 
Pjesë tjetër kontestuese është kapitulli i varfërisë dhe mënyra se si definohet ky nocion. 
 
“Të varfrit janë të dhënë pas alkoolit, cigareve, prostitucionit, ata kanë shumë fëmijë dhe nuk kontrollohen lindjet. Për një gjë të tillë në sociologji nuk mund të flas dikush aq sigurt për këtë kategori, sepse ne në këtë kategori kemi njerëz nga etni, grupe, kultura të ndryshme dhe këto jodomosdoshmërisht duhet të jenë të sakta këto që i ka përmend autori në libër.”,- tha profesori i sociologjisë, Liman Aliu.
 
Nelko Stojanovski, Milena Gjurovska e Zoran Matevski janë autorët e librit të sociologjisë i cili është në përdorim nga viti 2002 për shkollat e mesme në gjuhën shqipe. Për këtë çështje kërkuam sqarim nga MASh, por nuk morëm përgjigje deri në përmbylljen e këtij lajmi, se kur ky libër do të tërhiqet nga përdorimi.
 
Përmbajtje të ngjashme diskriminuese ka edhe në librin e sociologjinë së viti të tretë në gjuhën maqedonase.
 
FLUTURA LATIFI