Maqedoni

Këshilli i Qytetit të Shkupit debaton për buxhetin 2022

29.12.2021 18:42

Këshilli i Qytetit të Shkupit debatoi për propozim buxhetin për vitin 2022...

Këshilli i Qytetit të Shkupit debatoi për propozim buxhetin për vitin 2022, i cili peshon mbi 6 miliard denarë apo rreth 102 milion euro. Sipas kryetares së Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, Qyteti i Shkupit është në borxhe të thella, por ka disa projekte dhe iniciativa të cilat nuk duhet anashkaluar, dhe duhet të gjenden mjete siç është rasti me viktimat në Bullgari, ku Qyteti i Shkupit ka ndarë 3,5 milion denarë apo nga 100 mijë denarë për çdo person. 
 
“Siç kishit mundësi të shihni vendimi për shpërndarjen e mjeteve buxhetore të Qytetit të Shkupit do të kenë mundësi ta shohin, vetëm dua të potencoj se ndryshime janë bërë në pikën që është për harxhimet e paplanifikuara, në të cilën përfshihen familjet e viktimave në aksidentin në Bullgari dhe personat e lënduar apo në rreth 3,5 milion denarë apo nga 100 mijë denarë për çdo person.”,- tha kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danela Arsovska.
 
Sipas saj, nga 1 janari do të realizohen projektet për të cilat ka marrëveshje të nënshkruara nga menaxhmenti i mëparshëm. Sipas saj, vitin e ardhshëm është paralajmëruar projekt për transport falas, por ai do të jetë i vlefshëm në ditë të caktuara dhe për kategori të caktuar të qytetarëve.
 
Rreth 390 mijë euro do të ndahen nga buxheti i qytetit për subvencione për blerjen e inverterëve dhe rreth 240 mijë euro do të përdoren për të subvencionuar blerjen e transportit ekologjik, siç janë skuterë elektrikë dhe biçikleta. 
 
Ndërkohë, këshilltarja e VMRO-DPMNE-së, Marija Andonova, kërkoi të anulohet vendimi për kthimin e emrave të vjetër të rrugëve. Kjo do të thotë që këshilltarët përsëri do të diskutojnë nëse do të ndryshohen emrat e rrugëve si “Leninova”, “Vodnjanska”, “Meksiçka” dhe disa rrugë të tjera që i miratoi administrata e kaluar e Qytetit.
  
FITIM KRYEZIU