Maqedoni

Penalja pranon akuzën e PNKOK-së, Rashkovski do të gjykohet për blerjen e softuerit

29.12.2021 18:56

Ish sekretari i Qeverisë, Dragi Rashkovski, nuk do t’i shpëtojë dot drejtësisë...

Ish sekretari i Qeverisë, Dragi Rashkovski, nuk do t’i shpëtojë dot drejtësisë, të paktën sa i përket hapjes së procedurave gjyqësore. Gjykata Penale pranoi aktakuzën e Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, kundër tij dhe 6 personave të tjerë, të cilët  që do të gjykohen për pastrim parash dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare. 

“Është formuar lëndë penale- juridike, e cila përmes sistemit AKMIS do të shpërndahet për veprim të mëtutjeshëm dhe do të caktohet seancë kryesore”, njoftojnë nga Gjykata Penale.

Rashkovski akuzohet për prokurimin e softuerit për kundërvajtje në komunikacion përmes kompanisë “Inovka Group”, softuer ky që as u kërkua e as u përdor nga  MPB.  Me këtë prokurim të paligjshëm publik, Rashkovski akuzohet se ka dëmtuar buxhetin  për 100 mijë euro.

Dyshohet se paratë e fituara nga tenderët, Rashkovski i ka transferuar në llogaritë bankare të të afërmve të tij për të fshehur gjurmët,  e më pas me to ka shlyer  kreditë që kishte marrë . Rashkovski momentalisht gjendet në arrest shtëpiak. Qeveria për momentin i  ka ndërprerë kontratat me “Invoka Group”.