Botë
Biden dhe Putin do të bisedojnë sot për një sërë temash
30.12.2021 09:22
Presidenti amerikan, Joe Biden dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin sot do të zhvillojnë një bisedë telefonike.....

Presidenti amerikan, Joe Biden dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin sot do të zhvillojnë një bisedë telefonike.
Ky njoftim vjen në kohën e rritjes së tensioneve për shkak të grumbullimit të trupave ruse në kufi të Ukrainës dhe kërkesave të Rusisë për garanci të sigurisë. Të dy liderët do të “diskutojnë për një sërë temash, përfshirë edhe për angazhimet e ardhshme diplomatike me Rusinë”, tha zëdhënësja e Këshillit për Siguri Kombëtare, Emily Horne.
“Administrata Biden vazhdon të angazhohet në diplomaci të gjerë me aleatët dhe partnerët tanë evropianë, duke u konsultuar dhe koordinuar për një qasje të përbashkët në përgjigje të grumbullimit të ushtrisë ruse në kufi me Ukrainën”, tha Horne përmes një deklarate.
Presidenti Biden ka biseduar me liderët evropianë dhe zyrtarët e administratës së tij janë konsultuar me NATO-n, Bashkimin Evropian dhe Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë.
