Maqedoni

Haliti, priti delegacionin nga Shqipëria

22.12.2014 16:04

Zhbllokimi i marrëdhënieve në fushën e arsimit mes Shkupit dhe Tiranës, tekstet shkollore dhe mundësia për rritjen e numrit të bursave...

Zhbllokimi i marrëdhënieve në fushën e arsimit mes Shkupit dhe Tiranës, tekstet shkollore dhe mundësia për rritjen e numrit të bursave janë diskutuar në takimin mes deputetëve të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe deputetëve të grupit parlamentar të BDI-së.
 
Takimi i realizuar me ftesë të nënkryetarit të Kuvendit, Rafiz Haliti, shihet si një nismë për të thelluar bashkëpunimin e specifikuar në këtë fushë.
 
“Veçanërisht jemi të interesuar për problematikat e arsimit. Në diskutimin me homologët tanë dhe me kolegët e Parlamentit të Maqedonisë në lidhje me fushat e bashkëpunimit të ndërsjellë dhe reciprok për shkëmbimin e studentëve, bursat, për programet, për kurikulat dhe për shkëmbimin  eksperiencave në lidhje me reformat që janë ndërmarrë në Shqipëri, në lidhje me arsimin në përgjithësi dhe arsimin e lartë në veçanti”- deklaroi deputeti nga Shqipëria, Alfred Peza.
 
Në takim nuk ka mbetur pa diskutuar as mungesa e dialogut politik, përkatësisht bojkoti i parlamentit nga opozita si në Maqedoni po ashtu edhe në Shqipëri. 
 
“Qëllimi i vizitës ishte që të bisedojmë rreth përvojave parlamentare në Maqedoni dhe Shqipëri. Biseduam rreth asaj se edhe këtu edhe në Shqipëri na mungon opozita, ajo fryma opozitare, do të thoja shpirti i çdo kuvendi që duhet të jetë prezent qoftë në Shqipëri, qoftë në Maqedoni. Biseduam rreth eurointegrimeve, që Shqipëria vazhdimisht ka mbështetur RM-së në këtë drejtim”- tha nënkryetari i Kuvendit të Republikës, Rafiz Haliti.
 
Delegacioni shqiptar, i cili vjen në Shkup me ftesë të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, përbëhet nga deputetët të cilët janë anëtarë të komisioneve të kulturës, arsimit, shkencës dhe informimit.
 
SHPËTIM NUREDINI