Maqedoni
Popovski, pesimist se 2015–ta mund të sjellë të reja rreth çështjes së emrit
22.12.2014 16:17
Në agjendën e prioriteteve të diplomacisë së jashtme të vendit në vitin e ardhshëm qëndron integrimi evropian i Maqedonisë...

Në agjendën e prioriteteve të diplomacisë së jashtme të vendit në vitin e ardhshëm qëndron integrimi evropian i Maqedonisë, mirëpo problemi shumëvjeçar me Greqinë rreth çështjes së emrit nuk jep sinjale se mund të priten të reja në drejtim të zgjidhjes së kontestit të emrit në vitin 2015.
Ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Popovski, pas takimit në Shkup me shefat e diplomacisë përfaqësuese të Maqedonisë në botë, tha se nuk sheh klimë dhe vullnet të përshtatshëm nga Athina zyrtare për të kapërcyer kontestin bilateral.
“Të gjithë partnerët, vendet anëtare të NATO-s dhe Bashkimit Evropian, thonë se për tango duhen dy persona, por për këtë “tango” nuk kemi partner. Motivimi për momentin nuk është në nivelin e duhur tek bashkëbiseduesit tanë, për të pasur diskutime të hapura dhe reale për tejkalimin e kontestit”- deklaroi ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Popovski.
Diplomacia ekonomike dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore po ashtu janë në listën e prioriteteve të rëndësishme të diplomacisë së vendit, të cilat do të promovohen gjatë vitit të ardhshëm.
Popovski, u shpreh i kënaqur nëse në 2015-tën do të mund të shtoheshin sukseset e vendit në planin ekonomik dhe të sigurohet komunikimi konstruktiv me të gjitha vendet e rajonit dhe të botës.
“Prioritet i dytë është diplomacia ekonomike, ndërsa i treti është intensifikimi i kujdesit për qytetarët maqedonas jashtë vendit. Është nxitës qëndrimi i eurokomisarit për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe bisedime për zgjerim, Johanes Han, i cili shikon se dhënia e sugjerimeve nga Komisioni Evropian dhe mosrealizimi i tyre nga Këshilli i UE-së nuk funksionon si recetë dhe duhet të mundësojë një përparim legjitim për Maqedoninë dhe afrimin e saj kah EU-ja”- tha ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Popovski.
Ministri Popovski, vlerëson se vendi duhet të fokusojë energjitë në zhvillimin ekonomik dhe vazhdimin e reformave deri në momentin kur Greqia të jetë e gatshme për zgjidhjen e kontestit.
REXHEP QAMILI
